Aksioni i Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave është duke u zhvilluar edhe në Mitrovicën e Veriut – për këtë serbët kanë bllokuar disa rrugë.
Kështu ka raportuar portali në gjuhën serbe Koosvo-Online, duke shtuar se aksioni është duke u zhvendosur në Zveçan.
Nga raportimet e kësaj media, Policia ka hyrë në një farmaci.
Po ashtu, pretendohet se “policia ka hedhur gaz lotsjellës” në drejtim të serbëve lokalë të cilët bllokuan rrugën.
Aksioni i Policisë në nivel vendi
Policia e Kosovës është duke e zhvilluar një aksion kundër kontrabandës së mallrave.
Aksioni është duke u zhvilluar në rajone si Prishtinë, Pejë, Mitrovicë e Jugut dhe Mitrovicë e Veriut.
Sipas njoftimit të Policisë për media “të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente”.
“Me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”, thuhet në kumtesë.
Në këtë operacion policor i cili është ende duke vazhduar janë angazhuar Dogana e Kosovës dhe njësite të profileve të ndryshme policore, të cilat janë në mbështetje dhe përkrahje të këtij operacioni policor.
Deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në nivel vendi, me qëllim të parandalimit të veprimtarive kriminale, parandalimit të kontrabandës së mallrave si dhe shkatërrimit të grupeve kriminale”. /Insajderi.com