Seanca për caktimin e masës së paraburgimit pritet që të mbahet sot, e premte, para gjyqtarit të procedurës paraprake.
Është kërkuar 30 ditë paraburgim për personat e arrestuar gjatë aksionit të djeshëm që ishte vazhdimësi e aksionit për mbylljen kazinove në Karaçevë të Kamenicës, njofton Insajderi.
Seanca për caktimin e masës së paraburgimit pritet që të mbahet sot, e premte, para gjyqtarit të procedurës paraprake.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton se nga prokurorja e rastit, Rozelida Manastiri është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, nga Gjykata kompetente në Gjilan, ndaj njëzetekatër (24) personave të dyshuar, të cilët janë ndaluar gjatë aksionit të zhvilluar më 01 Tetor 2020, i cili ka qenë vazhdimësi e aksionit të Karaçevës”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.
Të dyshuarit “që nga muaji nëntor 2019, në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në territorin e fshatit Karaçevë komuna e Kamenicës, në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë ndërmarrë veprime për të kontrabanduar gjedhe, të cilat i kanë bartur përmes rrugëve ilegale jashtë vijës kufitare, duke iu shmangur kontrollit doganor”.
Ata dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Të arrestuarit e tjerë, dyshohen se kanë kryer veprat penale si; ‘’Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale’’, dhe ‘’Prodhimi dhe vënia në qarkullimin e artikujve të dëmshëm ushqimor’’, të KPRK-së.
Ndërsa një i dyshuar tjetër është për veprën penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’, të KPRK-së.