
Gjashtë zyrtarë policorë janë lënduar gjatë aksionit kundër kontrabandës së mallrave në Veriun e Kosovës.
Aty kishte përplasje ndërmjet policisë dhe grupeve kriminale, siç i cilësoi Policia bllokuesit e rrugëve në Mitrovicë të Veriut.
Por, aksioni nuk ishte veç në Mitrovicë – u zhvillua edhe në Mitrovicën e Jugut, Prishtinë dhe Pejë.
Për këtë, Policia ka arrestuar tetë persona – gjashtë shqiptarë, një boshnjak dhe një serb.
Ajo që e ka karakterizuar aksionin e së mërkurës ka qenë tensionim i situatës në veri.
Serbët lokalë, sipas njoftimit kanë rrezikuar zyrtarët policorë, madje duke përdorur edhe armë zjarri.

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës
“Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarrë veprime policore duke përdorur mjetet e nevojshme ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në operacion, qytetarëve në atë zonë dhe krijimit të mundësisë së lëvizjes e qarkullimit të lirë”, thuhet në njoftim.
Por, ngjarjet në Kosovë ngjallën reagime edhe në Beograd.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme me kryetarët e komunave të Kosovës me shumicë serbe.
Për këtë ai është nisur për në bazën ushtarake të Rashkës, raporton agjencia e lajmeve serbe Tanjug, transmeton Shqip.com.
Sipas mediave në Beograd, takimi është thirrur për shkak të situatës dramatike që mbizotëroi të mërkurën në Veriun e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq
Aksionin e sotëm e ka cilësuar si “provokim”, drejtori i së ashtuquajturës zyre për Kosovën, Petar Petkoviq.
Madje, ky i fundit ka akuzuar Albin Kurtin që “po e përdor veriun për zgjedhjet lokale të 17 tetorit”.
Ndërsa, kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti ka thënë se aksioni ka përfunduar.
“Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”, ka thënë Kurti.
Mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës nisi një aksion në nivel vendi kundër kontrabandës së mallrave.
Aksioni kishte përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut.
“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Aksioni i sotëm i Policisë kundër kontrabandës së malrave.