Aksioni i policisë në “Zone Club” dhe arrestimi i dy pronarëve [video]

Në një video që Gazeta Online Insajderi ka siguruar, shihen dy aksionarët e "Zone Club" teksa nxirren jashtë klubit të natës nga njësitet policore. 

Aksioni i policisë në “Zone Club” dhe arrestimi i dy pronarëve [video]

Policia e Kosovës arrestoi dy anëtarë të stafit menaxhues të klubit të natës “Zone” në Prishtinë të premtën e 11 gushtit, pasi sipas policisë, të dy personat nuk kishin pranuar të zbatojnë urdhërat e policëve në detyrë zyrtare.

Policia e Kosovës kishte pritur tre ditë për të njoftuar për aksionin e ndërmarr në “Zone Club”, kur përmes një njoftimi për shtyp deklaruan se dy personat e arrestuar në klubin e natës në Prishtinë ishin sjellë në “mënyrë arrogante me njësitet policore”.

“Gjatë operacionit njësitet policore janë ballafaquar me mosbashkëpunim dhe sjellje arrogante nga ana e dy personave të dyshuar të cilët janë shoqëruar në stacion policor”, njoftoi sot Policia e Kosovës, raporton Insajderi.

Insajderi merr vesh se dy të arrestuarit në “Zone Club” natën e së premtes kanë qenë dy aksionarët e klubit të natës, Petrit Kllokoqi dhe Kushtrim Sahiti.

Në një video që Gazeta Online Insajderi ka siguruar, shihen dy aksionarët e “Zone Club” teksa nxirren jashtë klubit të natës nga njësitet policore.

Aksionari tjetër i kompanisë, Dekorim Sahiti deklaroi të hënën për Insajderin se “Zone Club” do të ngrit padi kundër Policisë së Kosovës për aksionin e ndërmarr të premtën.

Sahiti pretendonte se policia ka vepruar kundërligjshëm me rastin e arrestimeve të dy aksionarëve të tjerë të kompanisë. /Insajderi.com