Aktakuza për të përfshirët në rastin e të miturës në Drenas – BBC shkruan se si Insajderi raportoi për skandalin

Aktakuza për të përfshirët në rastin e të miturës në Drenas – BBC shkruan se si Insajderi raportoi për skandalin

Ngritja e aktakuzës ndaj gjashtë personave për rastin e keqpërdorimit seksual të të miturës nga Drenasi, përfshirë mësuesin dhe policin hetues, ka marrë vëmendjen e mediave kryesore të botës.

BBC shkruan se prokurorët në Kosovë kanë ngritur aktakuzë për gjashtë persona të dyshuar për përdhunimin e një të reje, rast ky që goditi shtetin e Ballkanit.

Adoleshentja dyshohet se është abuzuar nga një mësues dhe më pas nga një polic për më shumë se dy vite, kur ishte vetëm 16 vjeçare.

Prokuroria kishte filluar hetimet pasi që për këtë rast ishte bërë e ditur përmes mediave.

Në shkurt të këtij viti, policia kishte arrestuar një mësues, një polic dhe një gjinekolog të akuzuar për detyrim në kryerje të abortit në mënyrë të jashtëligjshëm.

Lidhur me këtë kishte reagur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që e kishte përshkruar rastin si ‘tragjik’.

BBC shkruan se skandali u raportua nga Gazeta Insajderi, duke shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, derisa ishin mbajtur protesta për të drejtat e grave para ndërtesës së Policisë në Prishtinë.

Të mëkurën, prokuroria ka njoftuar se gjashtë persona përfshirë mësuesin dhe policin kanë aktakuzë lidhur me rastin.

Ata po akuzohen “nën dyshimet se kishin kryer veprën e abuzimit seksual, abuzimit të pozitës së tyre … dhe nxitjen e një shtatëzënie të paligjshme”, janë deklaruar nga prokuroria.

Si kishte ndodhur rasti?

BBC shkruan se Insajderi ka raportuar se dyshohet se vajza është dhunuar për herë të parë në vitin 2017 nga mësuesi i saj.

Derisa e njejta e kishte raportuar rastin në polici, dyshohet se është dhunuar në mënyrë të vazhdueshme nga një polic i cili po e hetonte rastin. E mitura me të njëjtin kishte mbetur shtatëzënë. Në janar, i njëjti polic e kishte dërguar në Prishtinë, duke e detyruar që të kryejnë abort. Të dy këta i kanë mohuar akuzat, thuhet sipas raportimeve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë dje , kundër gjashtë të pandehurve me inicialet Sh.Gj., V.V., G.H., F.C., I.R., dhe H.H., për shkak të dyshimit për abuzim në rastin e vajzës nga Drenasi.

Ata dyshohen se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”, “Nxitja e akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës”, “Shtytja në ndërprerjen e palejuar e shtatzënësisë” dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale”.