Aktakuzë ndaj burrit që aksidentalisht vrau bashkëshorten më 1 janar

Aktakuzë ndaj burrit që aksidentalisht vrau bashkëshorten më 1 janar

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se është ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Jakup Jakupi nën dyshimin për vrasje aksidentale të bashkëshortes së tij, Zahide Jakupi, më 1 janar, 2019.

Jakupi akuzohet për “vrasje nga pakujdesia” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ai kishte qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij, teksa po festonte fillimin e Vitit të Ri.

“Sipas aktakuzës, më 01 janar 2019, rreth orës 00:10 minuta, në fshatin Selishtë, komuna Gjilan, i pandehuri Jakup Jakupi, nga pakujdesia ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, të ndjerën Zahide Jakupi, në atë mënyrë që derisa ka qenë duke festuar fillimin e festës së Vitit të Ri 2019, duke shtënë në ajër me armën e tij të gjuetisë, e njëjta është bllokuar dhe nuk ka shkrepur, me ç’rast duke tentuar ta rregullonte, e njëjta ka shkrepur dhe në një distancë prej 1-2 metra, e ka goditur të ndjerën në pjesën e epërme të shpindës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Ai akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës, që i pandehuri të shpallet fajtor për këto vepra penale dhe të dënohet sipas Ligjit, si dhe të njëjtit t’i konfiskohet arma e gjuetisë.