Aktakuzë ndaj drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Gjilanit

Aktakuzë ndaj drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Gjilanit

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë kundër drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Gjilanit me inicialet B.B., në dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, njofton Insajderi.

Sipas aktakuzës, i pandehuri B.B., gjatë vitit 2019, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dy leje ndërtimore për dy kompani ndërtimi.

“I pandehuri B.B., gjatë vitit 2019, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, Drejtor në Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, në komunën e Gjilanit, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, duke anashkaluar interesin e institucionit, ku në kundërshtim me destinimin e planifikuar sipas planit rregullues ‘’Livadhet e Arapit’’, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dy leje ndërtimore për dy kompani ndërtimi”, thuhet në njoftimin për medie.

Prokuroria Themelore në Gjilan, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Gjilan, që të pandehurin ta shpallë fajtor për këtë vepër penale dhe të njëjtit t’i shqiptojë edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik./Insajderi.com