Me qëllim për ta fituar statusin e veteranit të luftës, gjashtë personat, të cilëve u është ngritur aktakuzë, kanë dorëzuar aplikacione false se “kinse kanë qenë të angazhuar në aktivitete ushtarake”.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar të premten se ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë të pandehurve për shkak të veprës penale, legalizim i përmbajtjes së rreme.
“Sipas aktakuzave, të pandehurit F.A., R.R., A.A., I.R., A.H. dhe F.D., kanë vënë në lajthim Komisionin Qeveritar të Republikës së Kosovës dhe Ministrinë për Mirëqenie Sociale, në atë mënyrë që i kanë plotësuar me të dhëna të pavërteta aplikacionet e dedikuara për pjesëmarrësit aktivë në UÇK, se kinse kanë qenë të angazhuar në aktivitete ushtarake të logjistikës, ku këto aplikacione i kanë dorëzuar në Shoqatën e Veteranëve të Luftës në Gjilan, me ç’rast të pandehurve iu është njohur statusi i veteranëve të luftës dhe e drejta në pension mujor prej 170 Euro”, është thënë në komunikatë për media të Prokurorisë.
Prokuroria i ka konsideruar këta persona si “veteranë të rrejshëm”.
Në njoftim është thënë se të pandehurit e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 44.810 eurove.
Prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi pati thënë më 2018 se 19 mijë veteranë kanë fituar këtë status kundërligjshëm në Kosovë./Insajderi.com