Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Sh.S., M.M. dhe B.B., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm sipas Kodit Penal të Kosovës.
Sipas aktakuzës, më datë 29.06.2019 pas mesnatës në Autostradën “ Ibrahim Rugova “ tek ura, në afërsi të fshatit Sllapuzhan – Komuna e Suharekës, të akuzuarit nga pakujdesia shkaktojnë rrezik të madh për jetën e njerëzve e që ka rezultuar me vdekjen e dy personave.
Të pandehurit, si vozitës dhe punëtorë të kompanisë “Sharr Travel”, ndalin autobusët në vendin kritik, për të bërë shkëmbimin e telefonave mobilë dhe disa lista të udhëtarëve.
Fillimisht ndalet i pandehuri Sh.S., i cili ishte nisur nga Prishtina në drejtim të Shqipërisë, ndërsa i pandehuri B.B., ndalet nga ana e kundërt.
I pari nga autobusi i të pandehurit Sh.S., del i ndjeri G.G., për ta trupuar trasenë, ku bie poshtë. Në ndërkohë, vjen me autobus nga kahja e njëjtë i pandehuri M.M., ku nga autobusi del i ndjeri A.B., ku bie poshtë urës në hapësirën e pa mbuluar në mes të dy kaheve që ndajnë autostradën.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.