Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit Shefqet Krasniqi, për veprat penale: Shtytja për kryerjen e veprave terroriste, sipas nenit 141 tё Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, sipas nenit 147, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Shmangia nga Tatimi sipas nenit 313 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 tё Kodit Penal tё Republikës se Kosovës.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri Sh.K, veprat penale: Shtytja për kryerjen e veprave terroriste dhe Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, i ka kryer në vazhdimësi gjatë intervalit kohor 2013 dhe 2014, ndërsa, veprën penale Shmangia nga Tatimi ka kryer në vazhdimësi gjatë intervalit kohor 2011 dhe 2016”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
“Sipas aktakuzës i pandehuri Sh.K. në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, përmes paraqitjeve të tij tё drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë tё tjerёt ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste, si dhe ka cilësuar disa grupe fetare si armiq të myslimanëve-sunit, duke nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim ndaj grupeve tjera fetare, të cilat jetojnë edhe në Republikën e Kosovës”, vazhdon njoftimi.
Sipas prokurorisë, i pandehuri i lartcekur si tatimpagues dhe pronar i biznesit N.T “Portat”, ka fshehur dhe shmangur tatimin, me dashje ka dhënë tё dhëna tё pasakta, si dhe nuk i deklaruar tё dhënat tjera relevante lidhur me obligimet tatimore, duke iu shmangur obligimeve tatimore në vlerë tё përgjithshme prej 20,208.57 €.
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit. /Insjaderi.com