Aktakuzë për terrorizëm ndaj një gruaje në Prishtinë

Ajo ka bërë një koment në Facebook, i cili është konsideruar si shkaktim i rrezikut “që një ose më shumë vepra të këtilla të kryhen”.

Aktakuzë për terrorizëm ndaj një gruaje në Prishtinë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurës me inicialet I.H., për shkak të veprës penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, nga neni 134 të KPRK-së, njofton Insajderi.

Prokuroria Speciale njofton se e pandehura “më 04.01.2020, përmes rrjetit social ‘Facebook’ në llogarinë në emër të saj, me paramendim dhe me dashje ka postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes nga ushtria Amerikane të Qassem Solejmani, gjeneral dhe udhëheqës i gardës revolucionare të Iranit dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi”.

Ajo kishte shkruar në Facebook: “Populli irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë që iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralëve të tyre Gjeneral Sulejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dhashtë durimin ngase të mbysësh zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim por nuk ka kufi”.

Ky koment është parë si shkaktim i rrezikut “që një ose më shumë vepra të këtilla të kryhen”./Insajderi.com