Aktivistët e Vetëvendosjes dalin sot para gjykatës

Aktivistët e Vetëvendosjes dalin sot para gjykatës

Katër aktivistët e kësaj lëvizje, Atdhe Gashi, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha, të  cilët akuzohen për sulm në Kuvendin e Kosovës, pritet të japin sot  fjalën përfundimtare në rastin kundër tyre.

Seanca gjyqësore është caktuar të nis në ora 13:00.

Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, i tha “Arbresh.info” se nuk ka ndonjë ndryshim, dhe se seanca do të mbahet sot siç ishte caktuar në seancën e kaluar.

“Seanca do të mbahet sot në ora 13:00, siç ishte paralajmëruar në seancën e fundit”, tha gjyqtari Kalludra.

Ndryshe katër aktivistët e  Lëvizjes Vetëvendosje , akuzohen  për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në gushtë vitit 2016.

Gashi, Krasniqi, Haliti dhe Batusha, akuzohen nga Prokuroria Speciale për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.

Ndryshe, me 29 dhjetor të vitit 2016, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Abdurrahim Islami pati ngritur aktakuzë ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, Atdhe Gashi, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha.

Ndërsa, për të dyshuarin Petrit Ademi, në mungesë të provave,  prokuroria pati pushuar hetimet.

Hetimet  patën pushuar edhe ndaj të ndjerit Astrit Dehari, i cili ndërroj jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren me 5 nëntor.

Në aktakuzën e ngritur ndër të tjerat thuhej së të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar, me qëllim që të shkaktojnë frikësimin serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës se pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës.