Pas postimit fyes të anëtares së VV-së, Donika Gashit, kundrejt anëtarëve të LGBTI-së, ka reaguar edhe aktivisti i këtij subjekti, Shqiptar Oseku.
Ai, nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se në sytë e tij, VV dje u fundos si Titaniku.
“Në sytë e mi, VV dje u fundos si Titanicu. Krerët e VV, që propagojnë aktivizëm e emancipim qytetar, braktisën si oportunistë të thekur njerëzit më të fyer e më të diskriminuar në Europë, familjarët & bashkëqytetarët tanë lgbt. Do ta them troç. Qyqari më e pafytyrë se kjo nuk është parë as dëgjuar në VV që nga ditët e veta të para”, ka shkruar Oseku.
Më tej, ai ka thënë se misioni historik i VV-së nuk është të sajojë ndasi midis të drejtave të punëtorëve kundrejt të drejtave të LGBTI.
“Për mua nuk është lehtë t’i shkruaj këto fjalë. Kam 30 vjet në Suedi dhe prandaj e di fort mirë se çfarë shoqërie humane mund të sajojë një lëvizje e majtë emancipuese. Prandaj uroj që krerët e VV të mos e mbulojnë kurrë veten me kori në atë mënyrë. Misioni historik i VV nuk është të sajojë ndasi midis të drejtave të punëtorëve vs të drejtave të lgbt, po t’u qasen me respekt e t’i bashkojnë në koalicion të gjithë ata që duan ndryshim. Uroj që drejtuesit e VV një ditë ta dëshmojnë se e kuptojnë këtë mision.
Mundësisht një ditë të bukur parade, nën flamujt ylber e kuqezi, në shesh të Prishtinës”, ka përfunduar Oseku shkrimin e tij në Facebook.
E pakënaqur me moslargimin e Donika Gashit nga Vetëvendosje është shprehur edhe anëtarja e këtij subjekti, Meliza Qorraj.
“Deri në largimin e Donika Gashit nga Lëvizja Vetëvendosje unë nuk jam as anëtare (sado e rëndësisë së vogël) e as votuese e kësaj organizate!”, ka shkruar Qorraj.
Ajo shkroi se të mendosh ndryshe e të mos pajtohesh është në rregull, por të ofendosh e të diskriminosh është çnjerëzore.
“Mendimet personale janë ato çka përfaqësohen në një organizatë! Unë për mendime të kusherinjëve të mi, nuk i bashkangjitem askujt, se nuk di t’i përfaqësoj!
Të mendosh ndryshe e të mos pajtohesh janë në rregull, ama të ofendosh e të diskriminosh janë ç’njerëzore!
Ka ardh koha që njerëzit të marrin përgjegjësi për fjalët e tyre. Le t’jetë kjo zonja një fillim i mbarë i përgjegjësise në tejkalimin e lirisë së fjalës”, është shprehur Qorraj.