Aktivisti që u sulmua në Fakultetin Filozofik: Logjika thotë se ata janë njerëz të Saimir Manes

Aktivisti që u sulmua në Fakultetin Filozofik: Logjika thotë se ata janë njerëz të Saimir Manes

Durim Jasharaj, aktivisti i shoqërisë civile, i cili ishte njëri nga viktimat e një sulmi të kryer nga një grup të dyshuarish brenda Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës të mërkurën, ka thënë se sulmuesit dyshohen të jenë njerëz të kontrolluar nga Saimir Mane, oligarku nga Shqipëria.

Në një bisedë me Insajderin të mërkurën në mbrëmje, Jasharaj është shprehur se grupi i  sulmuesve përbehej nga rreth dhjetë persona.

Ai ka thënë se para se të kryenin sulmin, ky grup ka vendosur posterë kundër mbajtjes së një prezantimi lidhur me sindikalizmin në Shqipëri, të organizuar nga aktivistë të shoqërisë civile e të lëvizjeve studentore.

“Ne e kemi organizuar një takim për sindikalizmin në Shqipëri. Diku kanë qenë rreth dhjetë persona, të panjohur. Këta kanë ardhur dhe kanë vendosur postera me shenjën ‘X’, kundrejt mysafirëve që i kemi pasur ne. Kanë filluar të na kërcënojnë, të na shajnë dhe dikur më vonë na kanë sulmuar edhe fizikisht”, ka rrëfyer Durim Jasharaj për Insajderin.

Sipas Jasharajt, grupi i njerëzve që kryen sulmin ndaj aktivistëve mbronin Saimir Manen dhe kishin probleme me Elton Debreshin, kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Bulqizës – minierë e cila është privatizuar nga “Albchrome”, kompani nën pronësi të Saimir Manes.

 

“Këta kanë pasur problem me tezën e diskutimit dhe mbi të gjitha kanë pasur problem me prezantuesit e këtyre temave, duke thënë se ‘këta prezantues janë komunistë, janë të korruptuar etj’. Kështu, pa i pyetur askush, këta e kanë mbrojtur Saimir Manen”, ka deklaruar Jasharaj.

Jashraj ka deklaruar se dyshojnë që sulmuesit kanë lidhje me oligarkun dhe multi-milionerin shqiptar, Saimir Manen.

“Ne s’po themi që këta persona kanë lidhje me të [Saimir Manen, v.j], por logjika thotë kështu”, ka nënvizuar ai.

Kompania “Albchrome”, pjesë e grupit Balfin nën pronësi të Saimir Mane, vitin e kaluar ka shkarkuar nga puna  kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Bulqizës, Elton Debreshin.

Për këto vendime, “Albchrome”, në dhjetorin e vitit të kaluar është vënë në hetim administrativ nga Inspektorati Shtetëror i Punës, e akuzuar se ka larguar nga puna krerët e një sindikate të re, të sapo regjistruar nga minatorët e minierës së kromit në Bulqizë. /Insajderi.com