Akuza mes LDK-së e VV-së në Podujevë, shkak zgjedhja e drejtorëve nëpër shkolla

Akuza mes LDK-së e VV-së në Podujevë, shkak zgjedhja e drejtorëve nëpër shkolla

Ende pa kaluar një muaj që kur mori detyrën e të parit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje, po përballet me akuza për tentim të punësimit të militantëve partiakë në drejtoritë e shkollave.

Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Podujevë, ditë më parë bëri një reagim publik ku akuzoi Bulliqin se po synon që “të cenojë pavarësinë̈ e shkollës shqipe duke tentuar të instalojë në drejtori të shkollave militantë partiakë”.

Sipas tyre, kryetari i sapozgjedhur kishte anuluar vendimin për zgjedhjen e drejtorëve në shkolla fillore dhe të mesme të kësaj komune, anipse zgjedhja e tyre dhe konkursi ishin transparent dhe konform legjislacionit në fuqi.

Këtyre akuzave, drejtori i Arsimit në Podujevë, Avni Fetahu nga Lëvizja Vetëvendsosje, iu është kundërpërgjigjur me akuza në drejtim në LDK-së.

Fetahu për Gazetën Online Insajderi ka deklaruar se legjislatura e kaluar (ajo e LDK-së) e ka shkelur afatin ligjor duke mos arritur ta përfundojë procesin e rekrutimit të drejtorëve brenda 45 ditësh.

“Asnjë diskriminim i vetëm nuk është bërë, përveç se legjislatura e kaluar e ka shkelur afatin ligjor dhe udhëzimin administrativ, ku precizohet se brenda 45 ditësh duhet të kryhet procesi i rekrutimit të drejtorëve, në rast të kundërt duhet të emërohen ushtrues detyre dhe të rishpallet konkursi”, ka deklaruar Fetahu.

“Konkursi është hapur në muajin gusht, por nuk e kanë bërë rekrutimin brenda kohës. Dy ditë pasi i kanë humbur zgjedhjet, u kanë dhënë kontrata drejtorëve të legjislacionit të kaluar”, ka thënë ai.

Tutje, Fetahu ka bërë të ditur se drejtoria e arsimit do të hapë një konkurs të ri, ku të gjithë do të kenë të drejtë aplikimi.

“Ne nuk kemi bërë asgjë vetëm se i kemi lënë si ushtrues detyre, pra nuk i kemi larguar nga puna. Ne do të hapim një konkurs të ri, ku kanë të drejtë aplikimi të gjithë, pa dallime. Ndërsa, ata që tani janë ushtrues detyre, do të kenë përparësi”, ka thënë ai.

Por, nga LDK-ja në Podujevë e mohojnë kategorikisht se kanë bërë një shkelje të tillë.

Ata vazhdojnë t’i qëndrojnë prapa akuzës së bërë ditë më parë ndaj kryetarit Bulliqi.

Agim Veliu, kryetar i LDK-së në Podujevë, ka deklaruar për Insajderin se konkursi dhe i gjithë procesi për emërimin e drejtorëve është bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Konkursi është shpallur në mënyrë të rregullt dhe i gjithë procesi është zhvilluar në kuadër të normave të përcaktuara dhe afateve të cilat i përcakton ligji. Drejtorët janë intervistuar, janë vlerësuar në bazë të ligjit dhe rregullave. Por, është çështje tjetër loja që po bëhet për moskalimin e tyre. Ata nuk kanë asnjë faj për këtë situatë. Pra, atë kanë konkurruar, janë thirrur në intervista dhe janë pyetur para panelit me përfaqësues të këshillit të prindërve, shkollave dhe drejtorisë komunale. Unë mendoj që ata kanë plotësisht të drejtë t’i kërkojnë të drejtat e tyre dhe besoj se do të dalin fitimtarë. Kam bërë një reagim në emër të degës kur e kam parë që është bërë ky problem”, ka thënë Veliu.

Tutje, i pari i LDK-së në Podujevë ka pohuar se emërimi si ushtrues detyre i drejtorëve të zgjedhur nga LDK-ja është shkelje ligjore.

“Kjo është shkelje ligjore sepse nuk kanë të drejtë të emërojnë ushtrues detyre një person që i ka skaduar kontrata. Nuk e di se në çka janë bazuar, por me ligj është paraparë që procesi i shpalljes dhe e gjithë procedura është 6 mujore”, ka shtuar Veliu.

Konkursi për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë në shkolla fillore dhe të mesme në Komunën e Podujevës është hapur më 23 korrik 2020 dhe i njëjti është publikuar në faqen zyrtare të komunës ndërkohë që vendimi më anulimin e tij nuk figuron në këtë faqe.

Ndërkohë, në Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për detyrat, përgjegjësitë, procedurat dhe kriteret e zgjedhjes së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të institucionit publik edukativo-arsimor dhe aftësues parauniversitar, neni 3, realizimi i konkursit thekson:

  • Konkursi publikohet në kohëzgjatje prej 15 ditësh
  • Nëse brenda 45 ditësh nuk bëhet zgjedhja e drejtorit/zëvendësdrejtorit, atëherë DKA, MASHT, AAAPARRr rishpall konkursin.

Nëse në afatin e paraparë prej tre muajsh, nuk bëhet zgjedhja e drejtorit apo zëvendësdrejtorit, caktohet ushtruesi i detyrës sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar, neni 35 paragrafi 5./Insajderi.com