Akuzat e hetuesit të të drejtave të njeriut Dick Marty, vazhdojnë të rëndojnë mbi imazhin e Kosovës. Këto akuza janë përmendur edhe në një raport të publikuar nga instituti prestigjoz botëror për studime financiare mbi krimin “Global Financial Integrity”.
Më 16 dhjetor të vitit 2010, hetuesi i të drejtave të njeriut Dick Marty, publikoi një raport për Këshillin e Evropës ku akuzonte ish-krerët e UÇK-së për trafikim ilegal të organeve të serbëve të kidnapuar dhe i jepte një prapavijë kriminale Qeverisë së Kosovës.
Këshilli i Evropës bazuar në raportin e të dërguarit të vet, Dick Marty, miratoi muaj më vonë një rezolutë ku ka kërkonte hetime për akuzat ndaj krerëve të ish-UÇK-së.
Madje, KE-ja formoi një task forcë të veçantë për hetimin e krimeve të supozuara të Dick Martyt ndaj ish-liderëve të UÇK-së.
Që nga atëherë, ky raport i publikuar nga ish-kryeprokurori i Zvicrës dëmtoi imazhin e Kosovës edhe pse ende nuk janë vërtetuar akuzat e tij ndaj UÇK-së. E edhe më shumë se gjashtë vjet më vonë, akuzat e Martyt vazhdojnë të rëndojnë mbi Kosovën dhe imazhin e saj.
Së fundmi, në një raport të publikuar nga instituti prestigjoz botëror për studime financiare mbi krimin “Global Financial Integrity” me titull “Krimi Tranzicional dhe Zhvillimi i Botës”, shkruan për dyshimet për trafikim të organeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Teksa shkruan se në Kosovë bëhet trafikimi ilegal i veshkave, raporti i “GFI” thotë se një task forcë e krijuar nga Këshilli i Evropës ka prova bindëse për trafikim organesh gjatë kohës së luftës së Kosovës, në vitet 1998-1999.
“Një Task Forcë Speciale Hetuese, e formuar nga Bashkimi Evropian për të hetuar krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), gjeti prova që minoritetet etnike ishin vrarë për trafikim organesh në një shkallë të limituar, duke qenë të autorizuar nga zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkruhet në raportin e përpiluar nga “GFI”.
Më tej në raportin e “Global Financial Integrity” shkruhet se “zonat e konfliktit janë ideale për rekrutim, përderisa refugjatët dhe personat e zhvendosur përbrenda vendit janë më të cenuar dhe më të pa shpresë”.
Sipas raportit, Kosova është njëra nga shtatë vendet e botës ku bëhet transplantimi i veshkave, raporton Insajderi.
Kur Dick Marty kishte publikuar raportin e tij lidhur me krimet e pretenduara të UÇK-së, ish-lideri politik i kësaj organizate guerile, Hashim Thaçi e kishte këshilluar që të gjente një avokat të mirë. Ai kishte paralajmëruar padi ndaj tij.
“Dick Marty duhet të gjejë avokat të mirë – nëse mundet t’i gjejë ndonjë që ta mbrojnë atë – sepse në asnjë mënyrë ai nuk mundet t’i ikë drejtësisë për shpifjet e tij,” deklaronte Thaçi për Reuters duke paralajmëruar padinë.
Por, gjashtë vjet më vonë, padia e Thaçit është lënë në harresë ndërsa akuzat e Dick Martyt u bënë bazë për krijimin e një Gjykate Speciale jashtë territorit të Kosovës, që do të trajtojë krimet e mundshme të bëra nga ish-pjesëtarë të UÇK-së gjatë viteve 1998-2000.
Mes njerëzve të dyshuar për krime të rënda, përfshirë trafikimin e organeve është edhe vetë Hashim Thaçi.
Ndonëse zyrtarisht ende nuk dihet se kush nga drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të gjykohen në këtë proces, raporti i prezantuar në Këshillin e Evropës nga Marty e lidh ish-drejtuesin Politik të UÇK-së me këto krime mes të cilave edhe trafikimi i drogës, naftës e cigareve. /Insajderi.com