Akuzat mes kryetarit dhe ish-kryetarit të Obiliqit: E ke bërë gruan drejtoreshë shkolle

Akuzat mes kryetarit dhe ish-kryetarit të Obiliqit: E ke bërë gruan drejtoreshë shkolle

Ish-kryetari i Obiliqit dhe kandidati i LDK-së për këtë komunë, Mehmet Krasniqi ka akuzuar kryetarin aktual dhe kundërkandidatin e tij nga AAK-ja, Xhafer Gashin për nepotizëm.

Krasniqi ka deklaruar në Magazina Lokale në Klan Kosova se Gashi ka punësuar 35 familjarë të tij në Komunën e Obiliqit.

Por Gashi e ka mohuar këtë duke thënë se kjo nuk qëndron, por ai ka pranuar se megjithatë janë të punësuar disa familjarë të tij, më saktësisht 7 ose 8 familjarë.

Sipas tij, familjarët e tij janë të punësuar në bazë meritore.

Megjithatë Gashi përpos që i është kundërpërgjigjur Krasniqit për akuzat e tij, ai ka pasur edhe vetë një akuzë për nepotizëm kundrejt rivalit të tij për kreun e Obiliqit.

“Më së paku ka të drejtë të flasë zotëri Krasniqi sepse ky ia ka nënshkruar gruas kontratën për drejtoreshë”.

Krasniqi ka reaguar menjëherë pas kësaj akuze duke thënë se kjo nuk qëndron, por se bashkëshortja e tij është zgjedhur drejtoreshë me merita.

“Bashkëshortja ime punon në arsim që 24 vjet, pjesën e pasluftës është zgjedhur drejtoreshë e një shkolle fillore, me përgatitje është profesoreshë e pedagojgijisë. S’e kam bërë unë, e kanë bërë Drejtoria Komunale e Arsimit”.

“Kryetari e ka përmendur që është drejtoresha më e mirë, edhe kur ka ardhur fakti e ka ndërruar vetëm se ka qënë bashkëshortja ime”.