Akuzat për korrupsion e lënë Limajn jashtë takimeve me përfaqësuesit e BE-së

Limaj nuk takohet me zyrtarët e BE-së as për t’i uruar atyre mirëseardhje në Kosovë, siç kishte ndodhur me rastin e marrjes së detyrës nga Shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Akuzat për korrupsion e lënë Limajn jashtë takimeve me përfaqësuesit e BE-së

Akuzat për korrupsion kanë ndikuar që lideri i NISMA-s, Fatmir Limaj të lihet gjithmonë jashtë takimeve me zyrtarët e Bashkimit Evropian. Aktakuza e ngritur më 19 shkurt të 2014-s nga Prokuroria Speciale e bën Limajn të “papranueshëm për zyrtarët e lartë të BE-së.

Kështu ka ndodhur edhe sot gjatë vizitës në Kosovë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Frederica Mogherini.

Mogherini u takua me të gjithë liderët e partive të skenës politike kosovarë, përveç atij të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj – i cili po mbahet në paraburgim me kusht në Francë –  dhe Fatmir Limajt, i cili ka një aktakuzë të ngritur për korrupsion.

Bëhet fjalë për akuzat që rëndojnë mbi Limajn sa ka qenë ministër i Ministrisë së Transportit dhe Post Telekomunikacionit “MTPT”

Korrupsioni ishte njëra nga kërkesat kryesore – ashtu siç ndodhë rëndomtë – të Zëvendëspresidentes të BE-së për zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës. Madje, sot Mogherini tha se korrupsioni në Kosovë “është duke u luftuar”.

E si për të treguar se korrupsioni është kërkesë serioze e BE-së, është edhe fakti se përfaqësuesit e BE-së shmangin takimet me personat që kanë të ngritura aktakuza për korrupsion.

Në vend të Limajt, Përfaqësuesen e Lartë të BE-së në emër të NISMA-s sot e takoi Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit Kombëtar të partisë.

Kjo nuk ishte hera e parë që zyrtarët e BE-së shmangin takim me Limajn. Edhe më parë, kryetari i NISMA-s nuk ishte lejuar të takohej me zyrtarët e BE-së.

Në muajin maj të vitit të kaluar, në takimin që bëri bashkë pozitën dhe opozitën, të organizuar nga komisionari evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit Johannes Hahn, vetëm Jakup Krasniqi nuk kishte qenë kryetar partie.

taki

Kadri Veseli kryetar i PDK-së, Isa Mustafa kryetar i LDK-së, Visar Ymeri kryetar i VV-së dhe Ramush Haradinaj kryetar i AAK-së ishin ulur rreth tryezës në takim me Hahn, por kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj kishte munguar.

Ai kishte qenë i zënë, duke dhënë llogari para drejtësisë për akuzat që e rëndojnë për korrupsion. Kishte pasur një seancë për tu paraqitur në Gjykatën e Apelit.

Limaj nuk takohet me zyrtarët e BE-së as për t’i uruar atyre mirëseardhje në Kosovë, siç kishte ndodhur me rastin e marrjes së detyrës nga Shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova. Kjo kishte ndodhur në shtator të vitit të kaluar.

jaka

Edhe njëherë tjetër, këtë takim e kishte kryer Jakup Krasniqi. Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA-s e kishte pritur më 20 shtator të 2016-s Apostolovën, për ta uruar për detyrën e re. Limaj nuk mori pjesë.

Limaj nuk u lejua të takohej as me Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, e cila vizitoi vendin më 20 shkurt të këtij viti.

Fajon u takua me liderë të tjerë, përfshirë atë të Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, por nuk u takua me shefin e NISMA-s. Në vend të Limajt, Fajon takoi anëtaren e Kryesisë së NISMA-s, Valdete Osmani.

valdet

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Limajt dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, në vitin 2014, nën dyshimin për keqpërdorime gjatë kohës sa ishte Ministër në MTPT.

Pretendohet se buxheti i MTPT është dëmtuar për 890 mijë euro. /Insajderi.com