Akuzat për mashtrim miliona dollarësh dhe bizneset në Kosovë – kush është Imer Shahini?

Akuzat për mashtrim miliona dollarësh dhe bizneset në Kosovë – kush është Imer Shahini?

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për ekstradimin e të dyshuarit për mashtrim me miliona dollarë, Imer Shahini.

Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kishte paraqitur kërkesën për ekstradimin e tij, për shkak të dyshimit se në mënyrë të kundërligjshme ai kishte fituar miliona euro.

Gjykata, po ashtu, ka aprovuar edhe kërkesën e PSRK-së për vazhdimin e masës së paraburgimit deri në ekstradimin e të dyshuarit nga Republika e Kosovës.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata konsideron se janë plotësuar kushtet ligjore për ekstradimin e të kërkuarit Shahini dhe se një gjë e tillë do të bëhet përmes procedurës së thjeshtësuar.

Për çka akuzohet Imer Shahini në ShBA?

Imer Shahini, vëllai i Remzie Shahini-Hoxhës, bashkëshortes së zv/kryeministrit Hoxhaj, është në mesin e shtatë personave të akuzuar nga FBI-ja për përfitim të jashtëligjshëm dhe mashtrim në Distriktin Jugor të New York-ut. Kosovari, në bashkëveprim me gjashtë persona të tjerë, disa prej tyre tashmë të arrestuar, akuzohen se ilegalisht kanë përfituar 20 milionë dollarë përmes mashtrimeve.

Skema e mashtrimit në të cilën ishte përfshirë Shahini, parashihte që fshehurazi të merreshin nën kontroll miliona aksione të kompanisë “Gerova Financial Group Ltd”, të cilat fshehurazi do të duhej edhe të shiteshin.

Plani parashihte që gjysma e këtyre aksioneve t’i kalonin në pronësi Shahinit. E për tu realizuar kjo skemë, Vëllezërit Galanis, po ashtu të akuzuar nga FBI-ja për mashtrim dhe përfitim të jashtëligjshëm, ishin përkujdesur t’ia hapnin një llogari Shahinit, “Shahini Accounts”, ku do të kaloheshin aksionet e shitura fshehurazi në mënyrë që në “Gerova” të mos vihej re se kush ishte pronari i vërtetë i tyre.

Rrjedhimisht, njeri prej vëllezërve Galanis, Jason, do të vazhdonte ta mbante nën kontroll kompaninë “Gerova” duke përfituar gjithashtu miliona para dhe duke vazhduar ta kontrollonte tregun edhe nga shitja e stoqeve të Gerova-s. Deri në fund të kësaj kurdisjeje, ky grup përfitoi përmes mashtrimit 20 milionë dollarë.

Imer Shahini, i cili është kunati i zv/kryeministrit Enver Hoxhaj, prej disa vitesh është kthyer në vendlindjen e tij dhe banon në Prishtinë.

Në kryeqytetin kosovar, Imer Shahini figuron të jetë bashkëpronar i kompanisë “Dorian & Pan Illyrian Partnership”. Ortaku i tij në këtë firmë është një nga bashkëpunëtorët e tij edhe në skemën e mashtrimeve që e ka hetuar FBI-ja, Jason Woodruff Galanis.

Sipas asaj që thuhet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës(ARBK), kjo kompani merret me shërbimet e ndërmjetësimit për letra me vlerë dhe kontrata të mallit, nxjerrjet e naftës së papërpunuar dhe me aktivitete mbështetëse për nxjerrjen e naftës. /Insajderi.com