Alban Hyseni tregon si arriti ta mposhtë Lutfi Hazirin në Gjilan

Alban Hyseni tregon si arriti ta mposhtë Lutfi Hazirin në Gjilan

Kryetari i zgjedhur i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka treguar se si arriti të vijë në krye të kësaj komune të cilën po e qeveriste veterani i politikës, Lutfi Haziri.

Hyseni thotë se ka punuar shumë në terren për të marrë këtë komunë.

“Ne e kemi filluar punën shumë herët në Gjilan. Kemi bërë identifikimin dhe skanimin e problemeve të kësaj komune. Kjo është përkthyer edhe një program për qeverisje dhe më pas jemi përgatitur për paraqitjet tona publike”, u shpreh Hyseni për ‘Euronews Albania’.

“Aktivistë të Lëvizjes ndihen krenarë që një ri ka arritur të fitojë në Gjilan, kundrejt një kandidati me shumë përvojë dhe një figurë kryesore politike në LDK”, u shpreh Hyseni, teksa shtoi se kandidati tjetër Lufti Haziri nuk e konsideronte një konkurrent të nivelit të tij dhe madje refuzonte të dilte në debat me të.

Ai madje tha se kryetari i deritanishëm i Gjilanit nuk e ka uruar për fitoren në këtë garë.

“Nuk kam marrë mesazh urimi nga Lutfi Haziri”, u shpreh ai më tej.

Hyseni më tej deklaroi se nuk i ka munguar përkrahja nga niveli qendror, por nënvizoi se pjesa e defekteve organizative në LVV ka qenë shkaku i humbjes së disa komunave. /Insajderi.com