“Albin, jep dorëheqje!”

“Albin, jep dorëheqje!”

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur thirrjen ndaj kryeministrit Albin Kurti që të japë dorëheqje.

Arsye për këtë Haradinaj ka përmendur disa, duke akuzuar Kurtin se “po përdhosë gjakun e dëshmorëve, punësimin e familjarëve në institucione, dezinformim, tallje me punëtorët shëndetësorë e policinë, dëmtimin e prodhuesve vendor”.

Në një postim në Facebook, Haradinaj shkruan se asnjëherë nuk do t’i mbështes “shkelësit e ligjit”.

“Ne i dojmë ata në burgje, por jo përmes gjykimit tënd publik, përmes hajnave të vegjël që shfaqen si fantazma të gjalla në ekrane. Por, përmes organeve të drejtësisë, të cilave ti e ushtria jote po iu bëni presionin më të madh të mundur. A jemi ne shtet totalitar? Jo, por me çasjen tënde për kapjen e institucioneve të pavarura, po rrezikohemi të arrijmë edhe në atë situatë”.

“Kush je ti? Ku po na çon? Ti që po e përdhos edhe gjakun e Dëshmorëve, që lëkund edhe eshtrat e tyre në varre. Ti që u bëre turpi i Kosovës. Marre!”, ka shkruar ndër të tjera i pari i AAK-së.

Kjo nuk është hera e parë që Haradinaj ia kërkon dorëheqjen Kurtit. Një gjë të tillë e ka bërë edhe javë më parë. Ai i kishte kërkuar qeverisë që ta trajtojë me seriozitet çështjen e menaxhimit të pandemisë dhe të fokusohet në procesin e vaksinimit, ose “të japë dorëheqje”./Insajderi.com