“Albin Kurti iku nga flamuri kombëtar kur do të duhej ta mbronte”

“Albin Kurti iku nga flamuri kombëtar kur do të duhej ta mbronte”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Andin Hoti, i cili është djali i veprimtarit Ukshin Hoti, tha të enjten se flamuri kombëtar është simboli më i shenjtë i historisë sonë të lavdishme. Sipas tij, nuk është e lavdishme që ai të përdoret si kartëmonedhë politike.

Hoti ka thënë se Albin Kurti kishte ikur nga flamuri kombëtar kur do të duhej ta mbronte.

Postimi i plotë i Andin Hotit:

ABUZIMI ME FLAMURIN KUQ E ZI

Flamuri kombëtar është simboli më i shenjtë i historisë tonë të lavdishme dhe nuk është e lavdishme që ai të përdoret si kartëmonedhë politike.

Albin Kurti e ka trajtuar gjithmonë si të tillë flamurin, duke manipuluar me ndjenjat e qytetarëve.

Flamuri mbrohet deri në flijim kur është në rrezik, kurse në liri dashuria dhe respekti për të manifestohet me angazhim dhe përkushtim ndaj interesave të vendit.

Albin Kurti kishte ikur nga flamuri kombëtar kur duhej ta mbronte atë, ndërsa tani e mban në xhep për ta përdorur sa herë t’i duhet për kalkulimet e tij politike.

Albin Kurti kishte refuzuar të merrte armën për ta mbrojtur vendin dhe flamurin, ndërsa sot krekoset paturpësisht, duke keqpërdorur procesin politik nëpër të cilin po kalojmë.

Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe të zgjedhurit e popullit, sidomos ata që po e keqpërdorin flamurin kombëtar për spektakël mediatik, duhet ta dinë se Republika e Kosovës nuk është themeluar për inat të të tjerëve, siç ka thënë Babai im.