Albin Kurti: Institucionet e Kosovës urgjentisht të verifikojnë vërtetësinë e dokumentit mbi vrasjen e Ukshin Hotit

Albin Kurti: Institucionet e Kosovës urgjentisht të verifikojnë vërtetësinë e dokumentit mbi vrasjen e Ukshin Hotit

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar në lidhje me disa të dhëna të cilat pretendohet se kanë dal nga arkiva e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, e që kanë të bëjnë me mënyrën se si është vrarë Ukshin Hoti, njofton Insajderi.

Kurti në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se Institucionet e Kosovës duhet urgjentisht të ndërmarrin iniciativa që ta përcaktojnë vërtetësinë e këtij dokumenti aq të rëndësishëm.

“Janë të pamohueshme krimet makabre që Serbia ka kryer në Kosovë gjatë luftës. Por në këtë rast, organet relevante në Kosovë (Ministria e Drejtësisë e Kryeministria, Departamenti për Krime Lufte i Prokurorisë Speciale, dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur), urgjentisht duhet të koordinohen dhe të marrin hapat e duhur që të përcaktojnë vërtetësinë e kësaj informate kaq të rëndësishme”.

Tutje Kurti ka shtuar se informacione të tilla shkaktojnë dëme të vazhdueshme emocionale dhe psikologjike, dhe si rrjedhojë të gjatë ata që e duan Ukshin Hotin meritojnë përgjigje definitive për fatin e tij.

“Informacione të tilla shkaktojnë dëm të vazhdueshëm emocional dhe psikologjik te familja e Ukshin Hotit, tek ata që e njohën dhe e duan, dëm ky që vjen direkt si rezultat i krimeve të kryera nga Serbia. Kjo çka po i bëhet familjes Hoti me informacione të tilla, është viktimizim i vazhdueshëm. Familja dhe e gjithë shoqëria meriton përgjigje, ashtu siç meritojnë të gjitha familjet e secilit person që ende mungon”.

Në fund Kurti ka shtuar se Kosova duhet ta ketë prioritet prioritet krimet e kryera gjatë luftës./Insajderi.com