Albin Kurti kap edhe Postën, kandidati për deputet i VV-së në krye të ndërmarrjes

Albin Kurti kap edhe Postën, kandidati për deputet i VV-së në krye të ndërmarrjes

Ish-kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në vitin 2017-të,  Kujtim Shala, sot është zgjedhur  drejtor në Bordin e Përkohshëm të Ndërmarrjes “Posta e Kosovës”, shkruan Gazeta Insajderi.

Ky vendim është marrë sot nga shefi i Qeverisë, Albin Kurti, njëherësh edhe kryetar i Vetëvendosjes.

“Anëtarë të Bordit të Përkohshëm të Ndërmarrjes “Posta e Kosovës” janë emëruar: Mentor Arifaj, kryesues dhe drejtor; Kujtim Shala, drejtor; Sajmie Thaçi, drejtore; dhe Blerton Abazi, drejtor”, thuhet në njoftim.

Njëjtë sikurse partitë e tjera që kanë qenë në pushtet edhe Lëvizja Vetëvendosje, ka nisur ta kapë shtetin me emërime partiake. Shala, nuk është i vetmi i përzgjedhur në post të rëndësishëm nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila po e udhëheqë Qeverinë në detyrë, pas mocionit të mosbesimit që e rrëzoi atë më 25 mars.

Kurti po ashtu ka emëruar edhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Dermaku, anëtar i Bordit të ndërmarrjes publike Hekurudhat e Kosovës – Infrakos.

Ai ka emëruar edhe një tjetër njeri të Vetëvendosjes në bordin e një tjetër ndërmarrjeje.

Bëhet fjalë për Mentor Hysenin, i emëruari si kryesues i bordit të drejtorëve të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”./ Insajderi.com