Albin Kurti kritikon Thaçin për fjalimin e mbrëmshëm në OKB

Albin Kurti kritikon Thaçin për fjalimin e mbrëmshëm në OKB

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti nëpërmjet një postimi në facebook ka kritikuar fjalimin e presidentit Thaçi, mbrëmë në Këshillin e Sigurimit.

Sipas Kurtit, Thaçi i është kthyer gjuhës që e ka përdorur verës, duke i përmendur kompromiset e dhimbshme.

Ai ka cituar pjesë nga fjalimi i presidentit, duke theksuar se ai po kthehet te diskutimet për korrigjim.

“Për të vazhduar me: ‘Ne jemi gati për dialog. Ne jemi gati për vendime të vështira. (…) E di që nuk do të jetë aspak e lehtë. E di se marrëveshjet e kësaj natyre nuk janë shumë popullore. Por, ato janë të domosdoshme. (…) Me një marrëveshje paqësore finale Kosovë-Serbi, ligjërisht obliguese, pa kufij në baza etnike, pa shkëmbim popullatash, por me njohje reciproke si vende të pavarura e sovrane e shtete me shoqëri shumetnike’.  Pra, Thaçi po i kthehet gjuhës së verës 2018, para protestës madhështore e masive të 29 shtatorit, po i kthehet kohës kur fliste për ‘kompromis të dhimbshëm’ dhe ‘korrigjim të kufijve”, ka shkruar Kurti, transmeton Insajderi.

“Vëreni me kujdes, tash flet sërish për ‘vendime të vështira’ dhe kundërshton atë që e quan ‘shkëmbim popullatash’, por nuk flet për integritet territorial dhe nuk kundërshton shkëmbimin territorial dhe as ndarjen e Kosovës. Votimi i të shtunës mbrëma në Kuvendin e Kosovës mban përgjegjësi historike për rikthimin e Thaçit dhe të pazarit të tij me Serbinë në kurriz të shtetit dhe territorit të Kosovës”, ka thënë lideri i VV-së.

Ndryshe Thaçi dje u përballë në OKB me Vuçiqin, në lidhje me taksën dhe krijimin e Ushtrisë. /Insajderi.com