Albin Kurti kujton viktimat e Holokaustit

Albin Kurti kujton viktimat e Holokaustit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar vrasjen e hebrenjve gjatë holokaustin në periudhën e Gjermanisë naziste.

Kurti përmes Facebook ka thënë se shqiptarët e dinë si është të jesh i padëshiruar dhe që mund të përndiqesh, dhunohesh, shkatërrohesh e zhdukesh, me urdhër nga pushtete e shtete.

“Mbase ngjashmëritë në përvoja të dhimbshme historike bënë që para 8 dekadash shqiptarët të ruanin aq sa mundeshin hebrenjtë që jetonin me ta, e të tjerët që përpiqeshin t’i iknin tërbimit nazist. Mbrojtja e viktimave nuk u bë për lavdi, as për falënderim, por thjesht pse ashtu duhet. Ashtu është njerëzorja. Të zbatosh urdhrat e pushtetit kundër asaj çka të thotë ndërgjegjja njerëzore, do të thotë ta shndërrosh veten në makinë – e pasojat e kësaj ishin fatale, në kohën e nazi-fashizmit, por edhe më vonë me gjenocidet afër nesh e te ne, njëherë në Srebrenicë, e pastaj në Reçak, Krushë, Mejë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka shtuar se Holokausti është ngjarje e pakrahasueshme për nga tmerri e dhimbja.

“Në shenjë respekti për mbi 6 milionë viktimat, e në shenjë zotimi që secili nga ne, në hapësirën tonë të vogël e të përditshme, të dënojmë çdo jehonë të mentalitetit politik përjashtues të tjetrit, e sidomos ekstremin e vet që shkatërron e shfaros”, ka shtuar tutje ai.