Albin Kurti në gjykatë për kërcënimin nga Haxhi Hoti

Albin Kurti në gjykatë për kërcënimin nga Haxhi Hoti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit në rastin ku ish-kandidati për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti, po akuzohet për kërcënimin e tij.

Hoti po akuzohet se ka kryer veprën penale të shtytjes në vrasje.

Në seancën e cila po mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kryeministri Kurti, i dëmtuar në këtë rast, ka dhënë dëshminë e tij, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Javorka Prilinçeviç dhe mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Rasim Hoti.

Kryeministri Albin Kurti në Gjykatën Themelore, Prishtinë

Më 28 dhjetor të vitit të kaluar, Haxhi Hoti, në profilin e tij në Facebook kishte shkruar “Albin Kurti i ka 2 rrugë: ose ta lëshojë Kosovën ose mund të vritet“. Postimi i tij u bë lajm në media duke ka ngjallur reagime të shumta. Kjo kishte bërë që Hoti ta fshijë postimin dhe të kërkojë falje publike. Një ditë më pas ishte arrestuar nga Policia e Kosovës./Insajderi.com