
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, mbajti sot mbledhjen e XXXIX.
Sipas një komunikatë për media, kjo mbledhje nisi me fjalën hapëse të kryesuesit të Këshillit, Hydajet Hyseni, derisa, vazhdoi me fjalimin e liderit të kësaj partie, Albin Kurti, shkruan Insajderi.
Përveç të tjerash në këtë mbledhje, kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti, theksoi sërish vendosmërinë e partisë së tij për të krijuar koalicion qeverisës me LDK-në.
“Por nga aspekti i perspektivës, viti i shkuar ishte i rëndësishëm, sepse edhe një herë Lëvizja VETËVENDOSJE! shënoi rritje elektorale, duke dalë sërish e para e duke fituar të drejtën për të themeluar qeverinë. Albin Kurti theksoi edhe një herë vendosmërinë dhe përkushtimin e Lëvizjes për ta përmbushur mandatin që votuesit na e dhanë, duke parë si partner të vetëm për koalicion Lidhjen Demokratike të Kosovës”, thuhet në komunikatën dërguar mediave.
Pos kësaj, Këshilli i Përgjithshëm i LVV-së, thuhet se i përshëndeti dy aktivistët, Glauk Konjufcën dhe Arbërie Nagavcin, të cilët u zgjodhën nga Kuvendi i Kosovës si kryetari e nënkryetarja e organit më të lartë të Republikës.
“Më pas vijuan diskutimet e debatet mbi situatën politike, sfidat e brendshme e ato rajonale, si dhe u shtjelluan nevoja për përforcime strukturore të Lëvizjes, për të fuqizuar pjesëmarrjen e grave, të rinjve e mërgatës”, përfundon komunikata e Lëvizjes Vetëvendosje./ Insajderi.com