Albin Kurti pa “lajme të reja” për koalicionin me LDK-në

Albin Kurti pa “lajme të reja” për koalicionin me LDK-në

Gjatë ditës së sotme nuk do të takohen lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa. Kështu ka bërë të ditur vetë kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Në anën tjetër, LDK vazhdon me kërkesën e saj që në marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje të futet edhe posti i presidentit, madje kërkon edhe zotim.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se takim nuk do zhvillohet sot, por që paralajmëroi takime të shpeshta deri në arritjen e marrëveshjes. Ai tha se ende nuk ka rezultate konkrete në drejtim të nënshkrimit të koalicionit qeverisës me LDK-në.

“Unë sa i përket çështjes së bisedimeve me LDK nuk mund të kem lajme të reja pa pasur rezultate konkrete. Këtë ua kam thënë edhe më herët po e përsëris sërish. Sot nuk ka takim por do të ketë takime dhe komunikime të vazhdueshme dhe më të dendura derisa të arrijmë marrëveshjen që dëshirojmë të dyja palët… Kur t’i kemi rezultatet konkrete, jap lajme të reja nuk ka rezultate konkrete”, u shpreh Kurti.

I pyetur se thirrja e seancës konstituive nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi a paraqet presion për arritjen e koalicionit, Kurti tha presidenti u ka ofruar edhe më shumë kohë sesa që nevojitet.

Sipas tij në takimin e mbrëmshëm me liderin e LDK-së, Isa Mustafa, janë pajtuar që të vazhdojnë takimet e radhës për të arritur marrëveshjen finale për formimin e Qeverisë së re të vendit.

“Presidenti i Kosovës e ka shtyrë në maksimum datën se kur do të mbahet mbledhja konstituive për legjislaturën e shtatë, sepse datë e fundit ka qenë 26 tetori. Unë shpresoj që na ka dhënë më shumë kohë se që na nevojiten. Dhe ne po bëjmë maksimumin që kështu do të jetë, mirëpo po e theksoj që për sa i përket rezultateve konkrete do t’i keni ato… Jemi marr vesh që të vazhdojmë shpejt drejt marrëveshjes, sepse populli ka vendosur ashtu. Nuk është këtu çështja e pleqësimeve të ndërsjella sa është një domosdoshmërie që na e ka imponuar 6 tetori”, tha ai.

Kreu i Vetëvendosjes e ka përsëritur se fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit nuk sheh partner tjetër në koalicionin qeverisës përveç LDK-së.