Tash e tutje njeriu më i besueshëm i Albin Kurtit do të jetë Luan Dalipi, i cili është emëruar shefi i kabinetit të kryeministrit. Kurti që dikur premtonte avancimin e shtresës së mesme sot nuk ka hezituar që afër vetes ta merr një biznesmen. Madje në një shkrim të gjatë kushtuar atij, Kurti ka përmendur shumë nga jeta e Dalipit, përpos diçkaje...
Luan Dalipi do të jetë shef i kabinetit të Albin Kurtit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryeministri.
Kurti që dikur thoshte se Kosova dhe Shqipëria do të gjejnë qetësinë kur politikanët e tyre përfaqësues të dalin nga shtresa e mesme, sot për shef të stafit të tij ka emëruar një biznesmen.
“E vetmja zgjidhje për mirëmbajtjen e demokracisë është politikani që vjen nga klasa e mesme. Nuk jam kundër biznesmenëve që hyjnë në politikë por jam kundër që politikanët të bëhen biznesmenë”, pati thënë Kurti në shkurt të 2019-ës, teksa fliste për këtë temë nga Fakulteti i Shkencave Sociale në Tiranë.
“Politikanët ndërshqiptarë janë bërë njerëzit më të pasur. Politika nuk është biznes, është përfaqësim dhe shërbim. Ministër nga latinishtja do të thotë shërbëtor, kryeministër do të thotë kryeshërbëtor. Edhe në Shqipëri dhe në Kosovë, politikanët t’i kemi nga klasa e mesme. Politika është shërbim, jo sundim dhe jo pasurim”.
Pavarësisht këtyre deklaratave, kryeministri i ri, sot në një shkrim të gjatë i ka thur elozhe shefit të kabinetit.
“Luan Dalipi do të shërbejë si këshilltari kryesor imi si Kryeministër, për palët e brendshme dhe të jashtme të interesit për çështjet që kanë të bëjnë me Kryeministrin. Luani do të koordinojë punën e kabinetit qeveritar, me Zëvendëskryeministrat, Ministrat, Zëvendësministrat dhe këshilltarët e qeverisë, do të mbështesë qeverinë në formulimin dhe zbatimin e politikave, strategjive dhe planeve, si dhe në komunikim dhe ngritje të vetëdijesimit”.
Kurti ka shkruar në detaje edhe për formimin arsimor dhe profesional të Dalipit.
“Formimi i gjerë arsimor dhe profesional i Luanit e ka përgatitur atë të sigurojë mbështetje për Kryeministrin në përpjekjet e tij për të kaluar Kosovën në të ardhmen që meriton si një vend i lirë dhe i prosperuar. Ai u arsimua në Shtetet e Bashkuara nga shkolla e mesme deri në një diplomë master në Menaxhim Ndërkombëtar. Luani u kthye në Kosovë në 2001 dhe shërbeu si përfaqësues i Departamentit të Tregtisë së ShBA-së në Ambasadën e ShBA-ve para se të hynte në sektorin privat të Kosovës. Është bashkëthemelues i një prej kompanive më të mëdha të këshillimit në Ballkanin Perëndimor. Luani gjatë njëzet viteve pasuese të ekzistencës së kompanisë së tij ka menaxhuar me sukses dhjetëra projekte të organizatave ndërkombëtare në Kosovë dhe jashtë saj”.
“Luan Dalipi gjithashtu ka qenë themelues dhe ish Kryetar i Bordit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (‘AmCham’), ish bashkëkryesues i Fondit Kosovar Amerikan të Arsimit (‘KAEF’), themelues i Këshillit të Konsulentëve të Biznesit (‘BCC’), dhe konsulent i certifikuar ndërkombëtar në menaxhment. Ai është fitues i disa çmimeve profesionale në fushën e menaxhmentit dhe konsulencës”.
Kryeministri nuk ka hezituar të flas edhe për karakterin e shefit të kabinetit të tij.
“Luani karakterizohet me etikë të fortë pune, vetëmotivim, optimizëm për të ardhmen, dhe performancë të bazuar në rezultate. Ekspertiza e tij – në udhëheqje, menaxhim, koordinim, mobilizim të resurseve njerëzore, konsolidim e bashkërenditje të institucioneve dhe proceseve, dhe krijim të politikave zhvillimore – do t’i shtoj vlerë kabinetit qeveritar. Si Shef i Stafit pritet që ai do të zbatojë mësimet nga e kaluara e tij për të arritur objektivat e qeverisë”.
Ka treguar madje edhe për jetën e tij personale.
“Është i martuar dhe ka dy fëmijë, 13 dhe 8 vjeç”.
Në këtë shkrim të gjatë, Kurti është kujdesur që të përmend shumë detaje të jetës dhe të karrierës së Dalipit, por jo edhe kompaninë MDA, themelues i se cilës është ai.
Kjo kompani ishte përfolur për tenderët e KQZ-së.
E njëjta është akuzuar se i ka fituar tenderët e institucionet që i organizon zgjedhjet, pavarësisht se ka ofruar çmimin më të lartë./Insajderi.com