Kurti: Shkoi qeveria e borxhlinjve, po vjen qeveria e zhvillimit

Kurti: Shkoi qeveria e borxhlinjve, po vjen qeveria e zhvillimit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas votimit për shpërndarjen e Kuvendit, është shprehur tejet i gëzuar. Ai nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’ ka shkruar, se kjo Qeveri u mbajt në këmbë mezi, duke thënë se ishte qeveria më e madhe e pasluftës.

“Kjo ish qeveri u pat sajuar mezi, plot tre muaj pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, me shumicë minimale prej vetëm 61 deputetëve. Dhe, u mbajt në këmbë mezi, si qeveri e pakicës, larg edhe shumicës minimale të domosdoshme. Në njërën anë, kjo ishte qeveria më e madhe e pasluftës, me 5 zëvendës kryeministra, 21 ministra e 80 zëvendës ministra, kurse, në anën tjetër, kryeministri kishte dyfish më shumë parti në koalicionin qeverisës sesa deputetë të partisë së tij në Kuvend”, ka shkruar Kurti.

Kurti, gjithashtu ka thënë se Republika e Kosovës nuk e përballon dot edhe një qeveri tjetër të madhe që rehaton militantët e kushërinjtë.

 Republika e Kosovës nuk e përballon dot edhe një qeveri tjetër të madhe që rehaton militantët e kushërinjtë, që e ka deficitin tregtar më të madh sesa buxhetin e shtetit, që rrit me shpejtësi marramendëse borxhin publik dhe me sasi enorme deficitin buxhetor, që e diskrediton e delegjitimon shtetin si tatimmbledhës”, ka shkruar Kurti, teksa ka vazhduar.
​​

“Sepse, cili është kuptimi të thuash që rritja ekonomike është 3% apo 4% kur shumëfish aq rriten borxhi e deficiti? Cili është kuptimi që qytetari të paguajë tatime kur për çdo ditë ka skandale publike të korrupsionit qeveritar?
Qeveria nuk ka para të vetat. Buxheti i shtetit është borxhi që qeveria ia ka popullit. Mirëpo, kjo qeveri ishte borxhli i keq: i mori paratë por nuk e dha shërbimin për to”.

Tutje, Kurti ka thënë se Qeveria e ardhshme nuk duhet të mirret me tema të mëdha si demarkacionit ‘Meha’ me Malin e Zi, por, të merret me punë të mëdha, si luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.

“Qeveria e ardhshme nuk duhet të merret me vendime të mëdha si puna e demarkacionit ‘Meha’ me Malin e Zi, që dha tokë për viza e të cilat s’i morëm, por, të merret me punë të mëdha, si psh.: luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, sjellja e investimeve në ekonomi nga mërgata dhe investimeve të huaja, shpenzimet kapitale të jenë të përqendruara në punësim të rinisë e jo në asfaltim të arave, ndërmarrjet publike qendrore të ristrukturohen e të menaxhohen mirë që të mos operojnë me humbje si tani, të përmirësohet cilësia e arsimit dhe edukimit e të bëhet lidhja e tyre me ekonominë dhe tregun e punës, të rregullohen spitalet nëpër Kosovë si QMF-të në Prishtinë nga ish drejtori Arben Vitia etj. etj.”, ka thënë Kurti.