Albin Kurti: Thaçi dikur ishte tradhtar, sot kolaboracionist i Serbisë

Albin Kurti: Thaçi dikur ishte tradhtar, sot kolaboracionist i Serbisë

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka drejtuar akuza të ashpra kah presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duke e cilësuar si kolaboracionist të Serbisë.

Ai ka thënë se gjatë dialogut prej vitit 2011, Kosovës iu shtua fusnota dhe u vunë themelet e “Zajednicës”.

Thotë se Kosova dështoi edhe në aëntarësimin në UNESCO dhe INTERPOL, transmeton Insajderi.

“Gjashtë vjet të dialogut të Thaçit me Serbinë: nuk u shpërbënë strukturat paralele të Serbisë, nuk u kthyen të pagjeturit, nuk u kërkua reciprociteti i të drejtave, nuk u përmend diskriminimi në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, nuk u fol për reparacionet e luftës dhe të okupimit, nuk u shtrua sukcesioni nga shpërbërja e Jugosllavisë etj.etj. Në anën tjetër, si pasojë e dialogut 2011-2017: na u shtua fusnota e na u hoq Republika nga emërtimi, u vunë themelet e ‘Zajednicës’, u amnistuan kriminelët serbë në veri dhe u ndanë etnikisht gjyqësori e policia atje, nuk ka liri të lëvizjes në urën mbi Ibër kurse në veri lëvizin vetura pa targa, u krijua Lista Serbe, u sabotua interkoneksioni energjetik me Shqipërinë, nuk na i kthyen librat kadastralë, na e bllokuan anëtarësimin në UNESCO dhe INTERPOL, i shtuan arrestimet ndaj zyrtarëve tanë shtetërorë etj.etj.”, ka shkruar Kurti në facebook.

Sipas liderit të Vetëvendosjes, Thaçi nuk ka kredibilitet dhe legjitimitet për ta udhëhequr dialogun.

Kurti thotë se presidenti po ia plotëson dëshirën Serbisë, që ta merr veriun.

“Debakël, gjithsesi. Thaçi nuk ka as kredibilitet dhe as legjitimitet për dialog me Serbinë. Prandaj, nuk është e rastësishme që ai nuk ka as mandat e as platformë. Veçse tradhtinë (ndaj shqiptarëve) e ka bërë moti Thaçi. Sot ai është veçse një kolaboracionist (i Serbisë). Sepse, gjithmonë Beogradi ka dëshiruar që Prishtina ta kërkojë shkëmbimin territorial: asisoj ne heqim dorë nga veriu ndërkohë që ajo s’e jep Preshevën, Medvegjën e Bujanocin”, përfundon postimi i Kurtit në facebook. /Insajderi.com