
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka zgjedhur gjyqtaren Albina Shabani-Rama, kryetare të Gjykatës Themelore në Prishtinë, transmeton Insajderi.
Prej 11 anëtarëve të KGJK-së të cilët votuan, Shabani-Rama mori shtatë vota. Gjyqtari Arben Hoti mori votat e tre anëtarëve, gjyqtari Valon Kurtaj një votë, kurse gjyqtarët Vesel Ismaili dhe Fatime Dermaku nuk morën asnjë votë.
Në votim nuk mori pjesë anëtarja e KGJK-së, Radojka Trifunovic. Përzgjedhja e kryetares u bë me votim të fshehtë, ndërsa një minimum prej nëntë anëtarëve të KGJK-së nevojitej të votojnë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mandati i kryetares do të jetë pesë vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Gjyqtarja Albina Shabani-Rama është gjyqtare në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Insajderi.com