fbpx

“Albini është një ide”, jo të gjithë në Vetëvendosje kanë këtë besim për themeluesin

Ofendimi që Aida Dërguti i ka bërë kolegut të saj deputet Albin Kurti, duke e quajtur "m**", ka ndarë në dysh qëndrimet mes disa prej deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Disa janë pozicionuar pro deputetes nga Vushtrria, teksa të tjerë kanë kritikuar veprimet e saj.

“Albini është një ide”, jo të gjithë në Vetëvendosje kanë këtë besim për themeluesin

“Albini është ide”, tha anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysamedin Feraj, teksa reagoi të shtunën pas përplasjes brenda partisë. Feraj lartësoi figurën e deputetit Albin Kurti, i cili sipas tij, përfaqëson një ide.

Por, jo të gjithë në Lëvizjen Vetëvendosje kanë këtë mendim për themeluesin.

Dalja në publik e një komunikimi mes anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në platformën Viber, ka ngjallur debat dhe reagime mes figurave më të larta të partisë. Ka nxjerr në pah problemet e brendshme të subjektit që udhëhiqet nga Visar Ymeri, teksa është vënë në pikëpyetje mbështetja ndaj Albin Kurtit.

Ndryshe nga Hysamedin Feraj, deputeti Fisnik Ismaili tha se Aida Dërguti nuk meriton të linçohet për shkak të ofendimit që i bëri Kurtit.

“Nuk pranoj, në asnjë mënyrë nuk pranoj, që dikush me e marrë lirinë me e linçue Aidën për një fjalë goje, pavarësisht se a ia ka thanë Albinit, Rugovës, Obamës, qoftë edhe zotit”, shkroi të premtën në Facebook, Fisnik Ismaili.

E pas publikimit në media të komunikimit mes anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ku Aida Dërguti ofendoi ish-kreun e partisë duke e quajtur “m**”, ishte vet protagonistja që reagoi e para. Ajo i kërkoi falje Kurtit për ofendimin që i bëri.

“I kërkoj falje së pari Albinit, e pastaj secilit anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! opinionit publik për gjuhën e përdorur e mënyrën e të shprehurit në atë diskutim”, tha të premtën Dërguti, në një reagim në rrjetin social Facebook.

Mirëpo, edhe pse e nisi me kërkimfaljen ndaj Kurtit, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje rrëfeu disa të pathëna rreth “problemeve dhe mospajtimeve të thella brenda organizatës”, e po ashtu edhe për “instalimin” e një mënyre të të menduarit.

“Një reagim i tillë imi vjen pas disa problemeve e mospajtimeve të thella politike e organizative që i kam me njerëz të caktuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE!”, deklaroi Dërguti, teksa tha se brenda partisë është shtuar frika e mosbesimi. “Kjo e rrezikon Lëvizjen sepse instalon një mendësi politike në të cilën mbytet demokracia e diskutimi i sinqertë”.

Ndërsa Kurti ndodhet në paraburgim prej një jave, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Tre deputetë pozicionohen kundër linçimit të Dërgutit


Albin Kurti dhe Aida Dërguti gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit

Pavarësisht se reagimi i Aida Dërgutit përmbante kritika për individë brenda partisë dhe për një mënyrë jodemokratike të të vepruarit, disa nga kolegët nga Lëvizja Vetëvendosje i dolën në krah deputetes vushtrriase.

Deputetët Fisnik Ismaili e Faton Topalli dhe deputetja Shqipe Pantina reaguan në mbrojtje të Dërgutit, e cila u bë objekt i kritikave dhe linçimeve nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje. Ata e vlerësuan kontributin që Dërguti ka dhënë për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Aida Dërguti ka qenë në Lëvizje prej ditëve të para të saj, kur ne të tjerët as s’kemi dijtë çka është Lëvizja”, deklaroi Fisnik Ismaili, përmes një shkrimi në Facebook. “Aida Dërguti është një prej njerëzve më të rëndësishëm në rrugëtimin e suksesshëm të Lëvizjes deri këtu.”

Për Ismailin, ishte e papranueshme mënyra se si aktivistët reaguan ndaj deputetes Dërguti.

“Nuk pranoj, në asnjë mënyrë nuk pranoj, që dikush me e marrë lirinë me e linçue Aidën për një fjalë goje, pavarësisht se a ia ka thanë Albinit, Rugovës, Obamës, qoftë edhe zotit”, u shpreh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ismaili tha se i takon Dërgutit, Kurtit edhe Kryesisë së Lëvizjes që të vendosë se pse, kush edhe si ka faj për këtë situatë.

Edhe deputetja Shqipe Pantina i doli në krah koleges së saj Aida Dërguti. Pantina tha se kolegia e saj deputete “e ka thënë të vërteten e saj” pa menduar “nëse i pëlqen apo jo dikujt”.

“Aida edhe sot haptazi e qartazi e sinqerisht po e thotë të vërtetën e saj i pëlqeu apo jo dikuj. Burrat kanë përdorur e vazhdojnë të përdorin fjalë edhe me fyese për njëri tjetrin por edhe ndaj grave por ata nuk kryqezohen siq po tentohet të kryqezojnë Aiden pa e ditë të vërteten e plotë”, deklaroi Pantina.

E deputeti nga Ferizaj, Faton Topalli, ka thënë se gabimet janë të natyrës njerëzore, duke e mbrojtur Dërgutin nga linçimet.

“Po i përcjell me shqetsim zhvillimet e brendshme. Aida Dërguti kërkoi falje, pranoi se për një moment gaboi. Gabimet janë të natyrës njerëzore. Unë e konsideroj gabim si vet Aida shprehjen e saj”, ka thënë Topalli.

“Albini është me të gjithë, të gjithë janë me Albinin”


Fatmire Mullhaxha-Kollqaku, Albin Kurti dhe Rexhep Selimi

Tre deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë dalë në mbrojtje Albin Kurtit, pas ofendimeve që pranoi nga Aida Dërguti. Disa prej tyre e kanë kritikuar Dërgutin për kërkimfalje të vonuar ndaj ish-kreut të partisë.

“Flini të qetë. Lëvizja VAZHDON. ALBINI është me të gjithë, TË GJITHË janë me Albinin. Ndërhyrjet nga jashtë nuk do t’i tolerojmë. Fitorja e madhe na pret”, tha të shtunën deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullhaxha-Kollqaku.

Përveç Mullaxha-Kollqakut, edhe Xhelal Sveçla dhe Albulena Haxhiu e mbrojtën Kurtin. Thanë se Kurti nuk i ka bërë ofendime ndonjëherë Lëvizjes dhe anëtarëve të tjerë.

“Cilat janë problemet e brendshme që e kanë shtyrë deputeten Dërguti t’i thotë Albin Kurtit atë fjalë të papranueshme? Pse e ofendoi ajo Albinin pikërisht kur e lajmëruan se ai po arrestohej? Pse iu gëzua këtij arrestimi? Pse zonja Aida Dërguti thotë që donte të priste deri sa të lirohej Albini para se të kërkonte të falur”, deklaroi Sveçla.

Sveçla tha se Dërguti mban përgjegjësi vetë për veprimet e veta. “Unë mund të falënderoj të gjithë aktivistët dhe mbështetësit e Lëvizjes të cilët nuk e kanë përdorur gjuhën banale ndaj deputetes Dërguti”, u shpreh ai.

Në krah të Kurtit doli edhe deputetja Albulena Haxhiu. Ajo deklaroi se ofendimi që ka ndodhur ndaj Albin Kurtit është i papranueshëm.

Haxhiu e cila në letërkëmbimet mes Visar Ymerit dhe anëtarëve tjerë të partisë, që u publikuan në media, u përmend që ka dhënë dorëheqje nga kryesia e partisë, ka thënë se kërkim falja për këtë ofendim ka qenë e vonuar.

“Së pari, ofendimi që ka ndodhur ndaj Albinit nuk është i pranueshëm dhe kerkimfalja duhet të kishte ardhur shumë më herët. Së dyti, çdo ofendim tjetër është në dëm të organizatës, i papranueshëm dhe duhet ndalur menjëherë”, shkroi Haxhiu.

Haxhiu ka paralajmëruar se së shpejti do të mbahen zgjedhjet e brendshme për kryetar të Lëvizjes. Ajo ka thënë se pret që Kurti të kandidojë, “bashkë me këdo tjetër që është i gatshëm të hyjë në këtë proces te demokracisë së brendshme”. /Insajderi.com