“Albini nuk distancohet nga Shkëlzeni” – Nisma: Çfarë hipokrizie e Kurtit

“Albini nuk distancohet nga Shkëlzeni” – Nisma: Çfarë hipokrizie e Kurtit

Çerkin Dukolli, anëtari i kryesisë së Nismës Socialdemokrate, në emër të partisë së tij është duke kërkuar që Kryeministri i Kosovës në largim, Albin Kurti të distancohet nga deklaratat e Shkëlzen Gashit.

Sipas Dukollit nuk mjafton vetëm shkarkimi i tij por edhe distancimi ndaj deklaratës së tij se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), ka kryer krime dhe duhet dënuar, përcjell Gazeta Insajderi.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Dukolli ka shkruar se deklarata e Kurtit për shkarkimin e Gashit është një hipokrizi.

“Albini nuk distancohet nga Shkelzeni. Kurti nuk distancohet nga deklarimet e  pavërteta, fyese e shfrenuese ndaj UÇK-së, të cilat i bëri  këshilltari i tij politik, Shkëlzen Gashi por pas një takimi me të e paska liruar nga detyra. Ç’farë hipokrizie e Kurtit e treguar me këtë rast, kjo tregon se edhe lirimin e tij nga detyra e ka bërë vetëm  nga presioni qytetar”, ka shkruar Dukolli.

Tutje anëtari i kryesisë së Nismës, ka shkruar se “Dick Marti me raportin  dhe Shkëlzen Gashi me deklaratat e tij vetëm se shprehën gjuhën e tyre raciste, përderisa UÇK ishte dhe përjetësisht do të jetë krenaria jonë kombëtare. Organet e hetuesisë dhe prokuroria seriozisht duhet të merren me deklarimet e Shkëlzen Gashit”.

Gashi në emisionin Frontal në T7 gjatë ditës së djeshme tha se duhet të dënohen të gjithë ata që kanë kryer krime gjatë luftës. I njëjti kishte thënë se gjatë fushatës në zgjedhjet e fundit, e ka këshilluar Kurtin që të mos del kundër Gjykatës Speciale.

I pyetur se a ka ndërruar qëndrim për Gjykatën Speciale, Gashi thotë se ka organizata ndërkombëtare që flasin për krime që janë kryer nga ish-ushtarë të UÇK-së.

“Çka mendon ti pse është themeluar Gjykata Speciale, pse dy të tretat e deputetëve të Kuvendit e kanë votu themelimin, një nga mospajtimet e mia me LVV, unë mendoj që duhet me u themelu. Unë mendoj që po janë faktet e organizatave ndërkombëtare që flasin për krime që individ nga radhët e UÇK ‘së i kanë bërë ndaj civilëve të pafajshëm dhe unë mendoj që duhet me u dënu”, ka thënë dje Gashi.

Kjo deklaratë e tij nxiti reagime me ç’rast gjatë ditës së sotme Gashi edhe u shkarkua nga posti i këshilltarit. /Insajderi.com