Albright: Nuk mund t’i thuhet Kosovës bëni të gjitha vetë

Albright: Nuk mund t’i thuhet Kosovës bëni të gjitha vetë

Ka nisur punimet konferenca dyditore në kuadër të Javës së Gruas 2020, e organizuar nga Instituti Kombëtar Demoktratik (NDI), mbështetur nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Gjatë ditës së sotme u diskutua lidhur me temën “Krizat globale: Ndikimi i tyre në barazinë gjinore”, me pjesëmarrëset, ish-Sekretaren e Shtetit Amerikan, Medeleine K. Albright, si dhe ish Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Albright theksoi nevojën e rritjes së numrit të grave pjesëmarrëse në proceset politike si dhe luftimin e pabarazisë, njofton Insajderi.

“Është shumë i rëndësishëm roli i qeverive demokratike dhe roli i grave në demokraci. Të drejtat e grave janë të drejtat e njeriut. Gratë janë gjysma e popullsisë në çdo vend dhe është humbje e burimeve njerëzore në qoftëse ato nuk janë pjesë e udhëheqësisë”, ka thënë Albright, transmetojnë mediat.

Albright gjithashtu foli për Kosovën, përderisa kujtoi vizitën e saj të fundit këtu.

“Kosova ka një rol të rëndësishëm në Ballkan dhe jam krenare për zhvillimet e deritanishme këtu… Demokracia është e vështirë, është gjithmonë një udhëtim, duhet vazhdimisht të punohet dhe ka nevojë për pjesëmarrjen e të gjithëve dhe respektin e ndërsjellë. Kosovës nuk mund t’i thuhet bëni të gjitha vetë. Duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku. Jam shumë krenare me gjërat që kanë ndodhur në Kosovë dhe ende ka punë për t’u bërë, ashtu siç ndodh në shumë demokraci”, tha ajo./Insajderi.com