Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në konferencën për shtyp pas mbylljes së vendvotimeve tha se sipas të dhënave që posedojnë, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa është në epërsi, njofton Insajderi.
“Informacionet e para nga shtabet tona janë se ne jemi në epërsi të madhe dhe presim fitore bindëse. Shpresoj se më vonë kur të mbajmë konferencë për shtyp nga ora 23:30 t’i tregojmë rezultatet përfundimtare, por trendi është pro nesh”, tha mes tjerash Taravari.
Taravari zgjedhjet e sotme i konsideroi si jo-korrekte duke theksuar se janë vërejtur parregullsi të shumta.
“Në fshatin Llojan blloku i fletëvotimeve ka pasur radhitje të parregullt të numrave serik. Në fshatin Ramanli të Kumanovës është regjistruar i ashtuquajturi tren bullgar, ndërsa ne mbrëmje është vërejtur se dikush ka nënshkruar në emër të dikujt tjetër. Në fshatin Llaskarcë të njëjtit persona kanë votuar për disa herë”, theksoi Taravari./Insajderi.com