Aleatët duan që Kosova ta shpallë PKK-në organizatë terroriste

Aleatët duan që Kosova ta shpallë PKK-në organizatë terroriste

Turqia dhe Bashkimi Evropian janë pro shpalljes së Partisë Punëtore të Kurdistanit organizatë terroriste nga Republika e Kosovës

Ambasada e Turqisë në Kosovë e ri-konfirmoi qëndrimin për Gazetën Online Insajderi, që PKK është e “rrezikshme” edhe për sigurinë e Kosovës.

Pikërisht gjatë mbledhjes së 65 të Qeverisë së Kosovës ku ishte paraqitur Strategjia e Mbrojtjes për Republikën e Kosovës, zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Enis Kervan, kërkoi që në kuadër të kësaj strategjie të përfshihen edhe Lëvizja Hizmet dhe Partia Punëtore e Kurdistanit.

Rreth qasjes së Turqisë ndaj PKK-së, pajtohet edhe Bashkimi Evropian të cilën kohë më parë “grupin kurd” e ka shpallur organizatë terroriste.

Në një përgjigje për Insajderi-n, zëdhënësi i  Bashkimit Evropian, Peter Stano, deklaroi se “Sanksionet e BE-së janë më efektive kur zbatohen nga një gamë më e gjerë e mundshme e partnerëve”.

“Kosova e ka identifikuar integrimin në BE si përparësinë e saj strategjike dhe pritet të veprojë në përputhje me këtë angazhim”.

Në rast se Kosova angazhohet që të jetë në linjën e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme atëherë kjo mirëpritet nga Unioni.

“Në këtë drejtim, ne mirëpresim çdo vendim që rrit konvergjencën me masat nga Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë së BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të marra nga BE kundër vendeve të treta, personave fizik ose juridikë ose subjekteve jo-shtetërore”.

Pos nga Turqia e Bashkimi Evropian, PKK-në si organizatë terroriste e kanë deklaruar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

PKK si organizatë e ndaluar nga perëndimi ishte krijuar në vitin 1974 nga Abdullah Öcalan, me orientim të qartë ideologjik marksist-leninist.

Kjo strukturë kishte kryer dhjetëra sulme terroriste kryesisht në Stamboll, Ankara e Izmir.

Këto akte në emër të “kauzës kombëtare kurdistane” për të krijuar një shtet etnik të kurdëve.

Kurdët jetojnë në Siri, Irak, Iran, por më shumë në numër janë në Turqi.

Për organizatat e deklaruara si terroriste nga Ankaraja janë parashtruar kërkesa nga shteti turk për Kosovën që ato organizata të shpallen terroriste edhe nga Prishtina zyrtare.

Në mars të vitit 2018, gjashtë gylenistë ishin deportuar për në Turqi në një formë misterioze për të cilën vazhdojnë hetimet nga Republika e Kosovës.

Por, Kosova ka ndjekur edhe linja tjera ndërkombëtare për të shpallur organizata të ndaluara.

Si për shembull, Hezbollahu i Libanit – ishte pikë e veçantë në marrëveshjen e Uashingtonit që të shpallet si terroriste nga Kosova e Serbia./Insajderi.com