Universiteti i Tetovës në Maqedoninë e Veriut i ka ndarë çmimin doktor Honoris cauza, kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Çmimi u nda në akademinë solemne për shënimin e 26 vjetorit të themelimit të UT-së, ku u theksuan sakrificat për ngritjen e këtij institucioni, të arriturat e deritanishme dhe vizioni për punën në të ardhmen.
Prorektori për Arsim, Reshat Qahili, gjatë kumtimit të vendimit, tha se Ahmetit ky çmim i ndaqet për kontributin në shoqëri dhe për mbështetjen që i ka dhënë Universitetit në vazhdimësi.
“Ky titull zotri Ali Ahmetit i jepet për kontributin dhe meritën e jashtëzakonshme në mbrojtjen e çështjes dhe vlerave kombëtare, për angazhimin e përhershëm për mbrojtjen e lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, për orientimin drejt vlerave perëndimore dhe për mbështetjen e përhershme të Universitetit të Tetovës”, tha Reshat Qahili, prorektor për arsim në UT.
Çmimin honoris kauza e ndau rektori i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ahmeti, i cili i dhuroi edhe një fotografi të themeluesit, Fadil Sulejmani, llogon dhe flamurin e UT-së, laureatit, Ali Ahmeti. Ky i fundit pasi falemenderoi organizatorët e akademisë tha se këtë çmim ua dedikon të gjithë atyre që kanë kontribuar dhe sakrifikuar për universitetin dhe arsimin e shqiptarëve në këto treva.
“Ky nder që mëbëhet mua i dedikohet këtyre njerëzve që dhanë për hapjen dhe ngritjen e këtij universiteti. Ky nder dhe ky çmim i bëhet Abdylselam Eminit me rastin e 26 vjetorit të rënies së tij, i bëhet të gjithë atdhetarëve e misionarëve, patriotëve, mësuesve e pishtarëve të arsimit që mbajtën shpirtin gjallë duke ligjëruar, në terr e në fshehtësi për lirinë e munguar dhe për sakrificat e panumërta të popullit e të kombit tonë. I dedikohet të gjithë rilindësve tanë sepse ata na mësuan vetëm dritë e diturisë, përpara do na shpie”, tha Ahmeti.
Por, më pas kanë reaguar nga organet e partive opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Forumet Rinore të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës kanë improvizuar një ekspozitë thumbuese ndaj kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, derisa në Universitetin e Tetovës po i ndahej titulli “Doktor Honoris Causa”.
“Në ekspozitën që po e shihni, kemi shpalosur vetëm disa nga shkrimet akademike që ky person do t’ua lërë gjeneratave të ardhshme, ndër të cilat janë: “Strategjia e zhvendosjes së rinisë në mërgim pa dhunë dhe represion”, si dhe librin best-seller “Të arrish deri tek 700 mijë nëna për 1 sekondë”.
Përveç këtyre shkrimeve të mirënjohura, ne kemi vendosur të shpalosim edhe disa nga eksperimentet që janë zhvilluar nga personi që do të shpallet “Doctor Honoris Causa”, siç janë eksperimenti në Lagjen e Trimave si dhe ai “Monstra”, pasojë e së cilëve janë dhjetëra shqiptarë që sot dergjen burgjeve të këtij shteti”, reaguan nga partitë opozitare shqiptare ASH dhe Alternativa. /Insajderi.com