Aliu i LVV-së thotë se propozimi i fundit i LDK-së është “i dëmshëm dhe i keq”

Aliu i LVV-së thotë se propozimi i fundit i LDK-së është “i dëmshëm dhe i keq”

Deputeti dhe njëri nga themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka thënë se është i dëmshëm propozimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për dorëheqjen e Glauk Konjufcës nga pozita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Aliu ka deklaruar se dorëheqja e Glauk Konjufcës është tallje me institucionin e Kuvendit të Kosovës dhe me kryetarin e zgjedhur të këtij institucioni.

“Për këtë arsye, LDK po bën një propozim të dëmshëm dhe të keq. Kjo është tallje me institucionin e Kuvendit të Kosovës. Shumë e rëndë është çështja e kthimit mbrapshtë e votës së deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Aliu.

Duke folur konkretisht për ofertën e fundit të LDK-së, Liburn Aliu ka thënë se “në fakt, kjo ofertë është e datës 8 janar”.

“Shkarkimi i Glauk Konjufcës është me kosto të madhe për ne, për figurën e Albin Kurtit dhe për figurën e Glauk Konjufcës”, është shprehur ai.

Ndërkaq, për çështjen e presidentit të vendit, ai ka thënë sot se emri i propozuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës “duhet të jetë i pëlqyer nga Lëvizja Vetëvendosje.”

Në një intervistë për Rubikon të KTV-së, Aliu ka deklaruar se LVV dëshiron koncensus sa i përket emrit të propozuar nga LDK-ja për president.

“Çështja është që të kemi koncensus për sa i përket kandidatit. Për ne ka qenë krejtësisht e qartë që është në rregull që propozimi të jetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por ai propozim i LDK-së le të jetë i pëlqyer edhe nga Lëvizja Vetëvendosje”, është shprehur Aliu.

Ai ka thënë se është e çuditshme se si kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje për koncencus lidhur me emrin e kandidatit për president, po konsiderohet problematike në opinion.

Në të njëjtin emision, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike që të shqyrtojë ofertën e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar LDK-së të martën.

Ajo ka thënë se LVV-ja pret një përgjigje nga organet e brendshme të LDK-së lidhur me këtë ofertë. /Insajderi.com