Aliu: Përfaqësuesit jo legjitim, të paaftë dhe tejet të dobët karshi Serbisë – Rrëzimi i Qeverisë Hoti varet nga PDK

Aliu: Përfaqësuesit jo legjitim, të paaftë dhe tejet të dobët karshi Serbisë – Rrëzimi i Qeverisë Hoti varet nga PDK

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, deklaron se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka kuptim të ndodhin pa fituesin e zgjedhjeve, ndërsa potencon se vendi në këtë proces po përfaqësohet nga njerëz pa legjitimitet e të paaftë, njofton Insajderi.

Aliu i sheh të pakuptimtë takimin e të enjtes në Bruksel dhe atë që pritet të zhvillohet më katër shtator në Uashington, duke qenë se aty mungon partia fituese e zgjedhjeve.

“Negociatat nuk ka kuptim të ndodhin pa fituesin e zgjedhjeve. Pra, absolutisht nuk ka sens që të ketë negociata pa fituesin e zgjedhjeve, po këmbëngulja e tyre që ato t’i bëjnë është mjaftë frikësuese për shkak se duke e pasur përvojën nga e kaluara, duke e pa çka ka ndodhur në të shkuarën, qysh këta kanë qenë të gatshëm të nënshkruajnë marrëveshje të dëmshme për vendin prapë ekziston rreziku që këta të nënshkruajnë diçka të rrezikshme për vendin tonë. Pra, janë edhe jo legjitim edhe janë të rrezikshëm, kjo është më kryesorja”, thotë ai për KP.

Delegacionin e Kosovës në këto bisedime, Aliu e sheh si të papërgatitur krahasuar me delegacionin e Serbisë, derisa tregon edhe arsyen se pse kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Avdullah Hoti për të marrë pjesë në takimin e Uashingtonit.

“Takimet që janë duke u bërë po bëhen takime nga përfaqësuesit jo legjitim, të paaftë dhe tejet të dobët karshi Serbisë… Nuk ka nevojë që të dëshifrohet situata më tepër, është tejet e qartë që delegacioni serb karshi delegacionit të Kosovës është jashtëzakonisht komod dhe shumë i përgatitur. Këta tanët përballë tyre janë shumë më të dobët dhe nuk pres që do të mund të sjellin ndonjë rezultat, përpos që nuk kanë legjitimitet fare…Kryeministri Hoti ka dërguar një ftesë që ka kërkuar dikush nga LVV të jetë pjesë e delegacionit, edhe një herë duhet ta themi qartë që negociatat me Serbinë duhet të kenë legjitimitet të ri, të ndërtohen mbi një platformë të qartë dhe të ketë unitet politik. Nuk mund të ketë unitet pa legjitimitet dhe nuk mund të ketë negociata me Serbinë pa fituesin e zgjedhjeve”, thotë Aliu.

LVV ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzimin e Qeverisë Hoti, megjithatë Aliu thotë se për ta rrëzuar qeverinë iu duhen edhe votat e PDK-së.

Përkundër kësaj, ai shprehet se ka mundësi reale që vendi gjatë këtij viti të shkojë në zgjedhje.

“E jona ka qenë për ta iniciuar këtë mocion, ai natyrisht që nuk mund të bëhet pa votat e PDK-së, ne i kemi 30 vota, tash i kemi 31 në Grupin Parlamentar. LVV me grupin e vet Parlamentar i ka 31, duhen 61 për ta rrëzuar qeverinë, me 31 nuk rrëzohet, të rrëzojnë po me 31 nuk ndërtohet qeveria, kaq është forca e LVV-së tash në Kuvend. Pra, nuk po mundeni ta rrëzojmë, po nuk mundemi po i kemi 31 (deputetë), po t’i kishim 61 ishte kryer kjo punë dhe nuk mund të rrëzohet pa faktorët e tjerë politik, pa partitë tjera politike, në këtë rast pa PDK, e cila është forcë opozitare, po ja që ajo ka zgjedhur të mos e bëjë mocionin, ka zgjedhur që ta votojë edhe buxhetin, ka zgjedhur që ta mbajë të gjallë politikën aktuale që është duke e degraduar vendin përditë e më tepër”, potencoi Aliu. /Insajderi.com