Aliu: Sistemi i ujësjellësit “Hidrodrini” s’është i mbrojtur

Aliu: Sistemi i ujësjellësit “Hidrodrini” s’është i mbrojtur

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar se sistemi i ujësjellësit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini”, nuk është i mbrojtur pasi që pusetat janë lehtë të qasshme, njofton Insajderi,

Kështu u shpreh ai në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ku shtoi se po e trajtojnë me seriozitet çështjen e inspektimeve të mëtejme dhe daljen e një raporti të përgjithshëm sa i përket sigurisë së sistemit të ujësjellësit.

“Mënyra si është bërë klorizimi i ujit është manuale. Nëse e shohim të gjithë sistemin në vendin tonë, mund të shohim se ky sistem është lehtë i komprometueshëm. Përpos rastit të Deçanit, kemi edhe vende të tjera ku situata është e njëjta. Ne e kemi marrë me shumë seriozitet çështjen e inspektimeve të mëtejme dhe daljen e një raporti të përgjithshëm në lidhje me sigurinë e sistemit të ujësjellësit në vendin tonë”, ka thënë ai.

Sipas tij, banorët e Deçanit marrin ujin direkt nga bjeshka dhe se sistemi shpërndarës nuk ka leje ujore.

“Nuk është aplikuar asnjëherë për leje. Sa kemi raste të tilla investime që i kanë bërë komunat me investime vetanake dhe s’janë ndjekur procedurat, komuna e Deçanit e ka ndërtuar ujësjellësin por s’ka leje.”

Ndërsa deputeti nga PDK Xhavit Haliti ka thënë se në Evropë nuk ka një vend që në këtë variant mund të diskutoj çështjen e ujit të pijes, për çka kërkon nga Qeveria që urgjentisht të merr masa.

“Por Kosova e varfër që ka dalë pas një sundimi 100 vjeçar për të cilin më shumë janë vetë kujdes qytetaret e ka këtë fat. Qeveria urgjentisht duhet të merr masa për të gjitha qytetet për të gjitha rajonet të cilat nuk e kanë ujin e filtruar të planifikojnë rezervarë të ujit dhe të furnizohet popullata në krejt Kosovën. Nuk e di që qeveritë tona, kanë bërë ndonjë projekt por burimet e mëdha të ujit janë në atë zona asnjëra prej këtyre të qytetarëve as fshatra nuk pijnë ujë të filtruar, uiji vetëm klorifikohet pa standarde. Shih kush e bënë atë dhe pastaj mund të konstatosh shumë lehtë se a pinë qyqarët ujë të mirë, të kontrolluar” ka thënë Haliti. /Insajderi.com