
Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se sot në Asamblenë Komunale në Gjakovë u formua “grupi më i madh i asambleistëve në mbështetje të Alternativës së re politike”, iniciativë kjo e krijuar nga deputeti Ilir Deda dhe Kusari-Lila.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, kryetarja e Gjakovës ka njoftuar se Alterantivës i janë bashkuar disa prej asambleistëve të ish-partisë së saj, AKR-së.
“Gjashtë asambleistë nga AKR dhe dy asambleistë nga koalicioni AAK – LDD u rreshtuan në mbështetje të Alternativës së re pjesë e së cilës është Kryetarja e Komunës së Gjakovës”, thuhet në njoftimin e saj.
“Asambleistët nga AKR që u rreshtuan pranë Kryetares janë: Hasan Krasniqi, Dr. Mahmud Lila, Sevdije Haxhibeqiri, Vjollca Roka, Dr. Jeton Vorfi dhe RinaDomi. Gjithashtu, nga radhët e koalicionit AAK – LDD u rreshtuan pranë Kryetares, znj. Mirdita Ademaj dhe z. Xhevat Zenelaj”, thuhet tutje në njoftim.
Me këtë hap, sipas saj, “bëhet nisja e parë institucionale e Alternativës së re politike bëhet nga Asambleja e Gjakovës.”
“Kjo iniciativë do të vazhdojë edhe nëpër Komunat tjera edhe në ditët vijim”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila.
Partia e re e ish-deputetit të Vetëvendosjes, Ilir Deda dhe kryetares së Gjakovës është paralajmëruar para disa muajve./Insajderi.com