Disa orë pasi në objektin e Qeverisë së Kosovës të mblidhej Këshilli i Sigurisë, ku u tha se ishte një mbledhje e zakonshme, Ambasada Amerikanë lëshoi një lajmërim për rrezik.
“Terroristët në rajon më parë kanë pasur caqe objektet e ndjeshme, përfshirë kishat dhe objektet e kulteve tjera, qendrat e këmbësorëve, arenat sportive, sallat e koncerteve dhe tubimet publike. Rishikoni planet tuaja të sigurisë: rrini të vetëdijshëm për vendndodhjen tuaj, përfshirë edhe ngjarjet lokale dhe shikoni televizionet për përditësim të lajmeve”, sugjeroi ambasada amerikane u jep qytetarëve të vet në Kosovë.
Njoftimi i ambasadës që për dallim prej herëve të tjera ku zakonisht për festa dhe protesta të ndryshme lajmëron qytetarët e saj për rrezikun nga masat, këtë herë e potencoi fjalën “terrorist”.
“Mbani nivel të lartë të vigjilencës dhe ndërmerrni hapat e duhur për të rritur sigurinë tuaj personale. Nëse ndodh një sulm terrorist në qytetin tuaj ose ku do të udhëtoni, qytetarët amerikanë duhet: Të ndjekin instruksionet e forcave ligjore dhe shërbyesve emergjentë. Të monitoroni uebfaqen e ambasadës për siguri”, thuhej në njoftimin e Ambasadës.
Por për dallim prej ambasadës Amerikane, Qeveria e Kosovës e asnjë institucion tjetër nuk dha ndonjë alarm.
Madje so pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha-Sadiku, anëtare e këtij këshilli, tha se në mbledhje është diskutuar siguria në vend në përgjithësi dhe nuk ka pasur ndonjë diskutim apo çështje specifike.
“Ka qenë mbledhje e rregullt, që mbahet çdo tre muaj”, tha ajo.
“Është diskutuar në përgjithësi gjendja e sigurisë, nuk ka pasur ndonjë temë diçka specifike”, sqaroi ministrja Hoxha-Sadiku, e kontaktuar nga Gazeta Express.
E para se Këshilli i Sigurisë të mblidhej sot, Policia e Kosovës, teksa iu kundërpërgjigj sekretarit organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj se Policia e Kosovës kontrollohet nga Kadri Veseli, në fund të komunikatës dha një detaj që akuzon direkt Molliqajn se njollos Policinë vetëm në raste specifike.
“Policia e Kosovës vlerëson se është shume indikativë deklarata e z.Molliqaj, për faktin se në të gjitha rrethanat kur ne jemi të fokusuar njëqind përqind në çështjet jetike dhe madhore për sigurinë dhe interesin kombëtar të Kosovës, personi i njëjtë shfaqet me deklarime tendencioze duke u munduar të krijoj huti në opinionin publik, dhe kjo qasje i shkon në dobi vetëm armiqve të shtetit të Kosovës e jo qytetarëve të saj”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.