Ambasada amerikane kërkon nga partitë ta respektojnë vendimin e Kushtetueses

Ambasada amerikane kërkon nga partitë ta respektojnë vendimin e Kushtetueses

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli të pavlefshme votën e deputetit Et’hem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, njofton Insajderi.

Nga kjo ambasadë u kanë bërë thirrje partive politike që ta respektojnë këtë vendimin e Kushtetueses.

Ndërsa, nga institucionet ka kërkuar të sigurojnë zgjedhje të lira, të drejta dhe paqësore.

“Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve në Kosovë të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të sigurojnë që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes zgjedhjeve të lira, të drejta dhe paqësore”, thuhet në komunikatë.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur mbrëmë pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, e që zyrtarisht vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme.

Vota e deputetit Etem Arifi ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, më 3 qershor.

Kushtetuesja ka konstatuar se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ajo po ashtu ka konstatuar se, Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe duke pasur parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, thuhet në vendimin e Kushtetueses./Insajderi.com