Ambasada Amerikane: Nevojiten hapa të menjëhershëm për të zvogëluar tensionet

Ambasada Amerikane: Nevojiten hapa të menjëhershëm për të zvogëluar tensionet

I ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Nicholas Giacobbe, ka kërkuar që të ndërmerren “hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve në veri të Kosovës”.

Ai këtë kërkesë e ka bërë të enjten në takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Takimin me këtë të fundit, Giacobbe e ka quajtur të mbarë, teksa ka thënë se kanë biseduar për rëndësinë e riangazhimit në dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian si dhe zgjidhjen e çështjes së targave.

“Nevojiten hapa të menjëhershëm për të zvogëluar tensionet. Veprimet mund të kenë pasoja të padëshiruara që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Twitter, ku ka njoftuar për takimin dhe temat e diskutuara me shefin e qeverisë kosovare.

I ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Nicholas Giacobbe

Të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë. Vozitësit të cilët hyjnë brenda territorit të Kosovës por që automjetet e tyre kanë targa të Serbisë, obligohen që t’i ndërrojnë ato sapo të hyjnë këtej kufirit.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë pesë euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Për të kundërshtuar këtë vendim, në afërsi Jarinjes dhe Bërnjakut, qytetarët serbë kanë bllokuar rrugën tash e katër ditë.

Atje janë vendosur njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Deri tani, nuk ka pasur asnjë incident./Insajderi.com