Ambasada amerikane: UNMIK-u e ka përmbyllur misionin në Kosovë

Ambasada amerikane: UNMIK-u e ka përmbyllur misionin në Kosovë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës kanë thënë se UNMIK-u e ka përmbyllur misionin e tij në Kosovë, transmeton Insajderi.com.

Përmes një postimi në Twitter, Ambasada ka shpërndarë fjalimin e ambasadorit amerikan në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Jeffrey DeLaurentis.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në mledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, DeLaurentis tha se UNMIK-u duhet të përmbyllë misionin e tij në Kosovë.

“Ngjarjet e fundit përsëri demonstruan se UNMIK-u e ka përmbushur qëllimin e tij siç është përcaktuar në mandatin fillestar. Ne duhet ta pranojmë këtë realitet dhe të shkojmë drejt mbylljes së tij. “, thuhet në postimin e ambasadës duke cituar pjesë nga fjalimi i ambasadorit.

Ndërkaq, të premten, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që t’i jipet fund misionit të UNMIK-ut, dhe e kritikoi atë për qëndrimet ndaj veprimeve të institucioneve të Kosovës që sipas shefit të tyre, ishin të njëanshme.

Në këtë mbledhje, Osmani foli edhe për aksionin e Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave, aksion që Beogradi përpiqet ta paraqesë si “sulm ndaj serbëve”.

“Më lejoni që të jem e qartë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit në veri dhe jug nuk është e negociueshme. Tetë qytetarë të Kosovës janë arrestuar, gjashtë kanë qenë. Të gjithë kanë qenë në dijeni që ky ka qenë një veprim ligjor, ambasada e SHBA-ve, KFOR-i dhe QUINT-I”, ka thënë Osmani.

Osmani ka folur edhe për presidentin aktual, Aleksandër Vuçiq – ia kujtoi përfaqësuesve të shteteve se “Vuçiq ishte ministër i Millosheviqit”.

Madje, Osmani paralajmëroi se një ditë “Kosova do të jetë pjesë e OKB-së”.

“E ardhmja jonë është e ndritur dhe një ditë do iu bashkohemi në tavolinë”, vazhdoi presidentja.

Kurse, në këtë mbledhje, shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, tha se bashkësia ndërkombëtare nuk ishte e informuar paraprakisht për vendosjen e masës së reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për zhvillimet në Kosovë, ai tha se mungesa e komunikimit politik ka çuar në përshkallëzim të situatës.

“Në mëngjesin e 20 shtatorit, Prishtina ka nisur një operacion policor në Kosovën veriore me qëllim të zbatimit të masave të reja për targat. Duke marrë parasysh diskutimet e ndjeshme dhe kamotshme për lirinë e lëvizjes përmes dialogut të mbështetur nga BE-ja do të ishte e natyrshme të pritej një komunikim me ata që preken. Megjithatë, komunikimi ka qenë i pakët apo fare. KFOR-it s’i është dhënë njoftim paraprak”, ka thënë ai.

Tutje, Tanin foli edhe për operacionin kundër kontrabandës së mallrave në Mitrovicën Veriore, ku tha se ky aksion provokoi tensione dhe konfrontime që përfunduan me disa të lënduar./Insajderi.com