Ambasada Britanike mbështet Qeverinë e jo Presidentin

Ambasada e Britanisë së Madhe i ka dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës duke e kundërshtuar presidentin Hashim Thaçi i cili i shkroi letër kreut të parlamentit, Kadri Veseli, rreth caktimit të drejtorit të ri të Doganave, Bahri Berisha. Thaçi pretendonte se caktimi i drejtorit të Doganave nga një kompani britanike bie ndesh me ligjin aktual.

Ambasada Britanike mbështet Qeverinë e jo Presidentin

Debati mbi ligjshmërinë e memorandumit në mes të Ambasadës së Britanisë së Madhe, Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës për fuqizimin dhe sigurimin e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për postet e larta, fryt i së cilit është edhe zgjedhja e drejtorit të Doganave, ka marrë përgjigjen edhe të Ambasadës Britanike.

Pas letrës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nëpërmjet së cilës ai i kërkonte kryeparlamentarit Kadri Veseli, nëpërmjet së cilës ia bënte me dije, se zgjedhja e drejtorit të Doganave bazuar në memorandumin që e kanë nënshkruar me Ambasadën Britanike ishte i jashtëligjshëm, të hënën ka ardhur reagimi i Ministrisë së Financave.

Qeveria nëpërmjet kësaj ministrie ia numëroi përmes një letre të cilën ia dërgoi vetëm medieve dhe jo Thaçit, se zgjidhja e drejtorit të Doganave ishte i ligjshëm.

E pala e tretë e përfshirë në këtë memorandum – e nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës dhe Ambasadës së Britanisë – thotë se reagimi i Qeverisë ka shpërfaqur faktin se konkursi ka qenë i ligjshëm.

“Ne vëmë re se Ministria e Financave e ka lëshuar një deklaratë në lidhje me ligjshmërinë e këtij procesi ku ceket se procesi ka qenë brenda dispozitës së Kodit Doganor dhe nuk është shkelur asnjë legjislacion në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Britanike për Insajderin.

Presidenti Thaçi në letrën e tij insiston që pikërisht angazhimi i kompanisë britanike si rekrutuese është jo ligjore.

Ambasadori britanik Ruari O’Connell, kishte thënë në gusht të vitit të kaluar, se ambasada do të financojë një kompani të pavarur, e cila do të zgjedhë kandidatët dhe do të rekrutojë personat e kualifikuar.

nenshkrimi

“Ambasada britanike nuk do të vendosë për juve, sepse ju jeni populli që kërkoni që të respektoheni dhe të ketë punësime në baza meritore”, kishte thënë  O’Connell.

Tash Ambasada që drejtohet nga O’Connell, thotë se i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta shohin ligjshmërinë e kompanisë në fjalë, qysh para nënshkrimit të memorandumit.

“Ambasada Britanike ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të harmonizoj Memorandumin e Mirëkuptimit me legjislacionin në fuqi,  para se të nënshkruhej Memorandumi në mes të tri palëve”, ka thënë zëdhënësi i Ambasadës për Insajderin.

Në reagimin e Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Financave, ndaj letrës së presidentit, thuhet se në të gjitha fazat e konkursit, puna e Komisionit është monitoruar dhe asistuar nga partneri implementues i përcaktuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, siç parashihet në Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, të datës 15.08.2016.

Madje sipas Qeverisë, zgjedhja e drejtorit të Doganave nuk bëhet bazuar në Ligjin për Shërbyes Civil, të cilin presidenti thotë se e ka shkelur Qeveria kur është emëruar drejtori i ri i Doganave.

“Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës nuk është shërbyes civil dhe procedura e rekrutimit nuk i nënshtrohet Ligjit Nr.03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe Rregullores QRK-Nr.06/2010 për procedurat e emërimit në pozita të larta në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, në këtë proces të rekrutimit nuk mund të diskutohet për shkelje të legjislacionit për shërbimin civil”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

E për Ambasadën Britanike e rëndësishme është që nëpër borde të ndërmarrjeve publike të emërohen njerëz kredibil.

“Ne besojmë që Kosova meriton emërime publike të bazuara në meritokraci dhe që janë transparente. Ne mbesim të përkushtuar t’i ofrojmë asistencë Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, të cilët e kanë përkrahur këtë projekt”, thuhet në përgjigjen e Amabsadës.

Drejtori i ri i Doganave, Bahri Berisha ishte zgjedhur me 8 shkurt, një ditë pas dërgimit të letrës nga presidenti./Insajderi.com