Ambasada e Amerikës kërkon nga politikanët që të lejojnë Dragica Gashiq të qëndrojë në Gjakovë

Ambasada e Amerikës kërkon nga politikanët që të lejojnë Dragica Gashiq të qëndrojë në Gjakovë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka bërë thirrje ndaj ministrive dhe kryetarëve të komunave që të lejohen të gjithë të zhvendosurit të kthehen në shtëpitë e tyre, njofton Insajderi.

Kështu thuhet në njoftimin e kësaj ambasade në Twitter, ku më tej thuhet se krerët institucional dhe lokalë duhet të lënë anash politikën dhe të bashkëpunojnë në mënyrë që të sigurojnë që të gjithë qytetarët e Kosovës të jetojnë në paqe e siguri.

“Viktimat meritojnë drejtësi dhe personat e zhvendosur kanë të drejtë të kthehen në shtëpi. Ministra dhe kryetarë të komunave – ju lutemi lini mënjanë politikën dhe bashkëpunoni për të siguruar që të gjithë kosovarët të gëzojnë paqe dhe siguri, të lirë nga ngacmimet dhe frikësimet”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së.

Në fillim të qershorit të këtij viti, Dragica Gashiqi u bë serbja e parë që u kthye për të jetuar në komunën e Gjakovës.

Pas kthimit të saj pati reagime të shumta, madje Komuna ngriti padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës, me anë të së cilës kërkohej “anulimi i kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme”. /Insajderi.com