Edhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës ka reaguar pas ngritjes së bustit të senatorit amerikan Bob Dole sot në Prishtinë, njofton Insajderi.
“30 vjet më parë senatori Dole erdhi në Kosovë dhe bëri një premtim: Liria po vjen. Demokracia po vjen. Ky premtim u mbajt dhe Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar pranë kësaj qysh prej atëherë”, thuhet në një postim në Facebook nga ana e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Busti i senatorit amerikan u vendos në lagjen “Dardania” në Prishtinë, në rrugën që mban emrin e tij.
30 vjet më parë, më 29 gusht 1990, senatori Robert Dole, me gjashtë kolegë të tij, vizitoi Prishtinën, duke luajtur një rol të pakrahasueshëm në ndërkombëtarizimin e Kosovës.
Kjo vizitë shënon një moment historik në angazhimin amerikan në Kosovë dhe një nga arritjet më të mëdha në lobimin e komunitetit shqiptaro-amerikan për kauzën e Kosovës. /Insajderi.com